Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS, sot hodhi shortin për caktimin e relatorit lidhur me ankimimin që Partia Demokratike i bëri vendimit të kryekomisionerit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi për mosregjistrimin e PD-së në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Si relator, shorti caktoi Koli Belen, i cili do të marrë në shqyrtim ankesën. Shqyrtimi bëhet nesër nga KAS-i.
Nga përfaqësuesi ligjor i PD-së së Alibeajt, Indrit Sefa, në KAS kërkohet shfuqizimi i vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Po ashtu, regjistrimi si subjekt zgjedhor i Partisë Demokratike të Shqipërisë, sipas kërkesës së bërë me dokumentacionin shoqërues të saj e të protokolluar në KQZ në datën 06.03.2023.
Një ditë më parë, kryeminisioneri vendosi të mos e regjistrojë PD-në në zgjedhje, me argumentin se “aktet, deklarata solemne duhet firmosur nga kryetari i dorëhequr Lulzim Basha, pasi ende përfaqëson PD-në juridikisht”.
Për Celibashin, kërkesa për t’u regjistruar nuk ka bazë ligjore e nuk duhet të pranohet. Në vëmendje solli çështjen e ngritur prej tij dhe në seancën e parë të datës 9 mars lidhur me deklaratën solemne që çdo parti paraqet mes dokumentacionit të kërkuar për regjistrim. Nga ana e Partisë Demokratike, deklarata është e firmosur nga Enkelejd Alibeaj si person i autorizuar nga Basha, tre ditë përpara dorëheqjes në mars të vitit të kaluar. Por, Basha ende rezulton si kryetar i PD-së në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës.
Për këtë arsye duhet ta nënshkruajë ai. Ky është një përcaktim ligjor që nuk mund të delegohet.
Por, PD pretendon se vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve është në kundërshtim me ligjin, pasi në zbatim të detyrimeve ligjore si dhe të dispozitave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, brenda afatit ligjor të përcaktuar (jo më vonë se 70 ditë para datës së zhvillimit të këtyre zgjedhjeve), PD paraqiti kërkesën për regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë si subjekt zgjedhor dhe dërgimin e dokumentacionit shoqërues të nevojshëm për regjistrimin në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023.