Bota

Çekia konfirmon viktimën e parë nga përmbytjet!

Në Republikën Çeke konfirmohet viktima e parë nga përmbytjet që përfshinë këtë vend të Europës Qendrore, si rezultat i shirave të rrëmbyeshëm. Shefi i policisë, Martin Vondrashek tha se është fjala për një person që u mbyt në lumin Krasova, në rajonin Moravskosllezski.

Të paktën shtatë të tjerë figurojnë të zhdukur në Çeki. Mes tyre besohet se janë tre vetë, të cilët mund të kenë qenë të bllokuar në një makinë që u rrëmbye nga ujërat e një lumi pranë qytetit Jesenik.

Deri tani nuk ka asnjë gjurmë të automjetit. Nga ana tjetër, rreth 250 mijë familje vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike. Ndërkaq, në kryeqytetin Pragë, autoritetet morën masa për të parandaluar përmbytjet rreth lumit Volltava. Kryeministri çek, Petr Fiala, tha se të tilla vërshime “ndodhin një herë në shekull”.

Shirat e furishëm nisën që në fund të javës së kaluar e pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Të goditura rëndë nga përmbytjet janë edhe disa zona në Rumani, ku gjatë fundjavës gjetën vdekjen gjashtë persona e një u zhduk. Si pasojë e përmbytjeve, një person u mbyt edhe në Poloni e një tjetër në Austri.

Lëvizjet e trenave mes Polonisë e Republikës Çeke u pezulluan. Instituti Kombëtar i Hidrologjisë dhe Menaxhimit të Ujit në Rumani lëshoi alarmin e kuq për qarqet Galati e Vaslui, ku në disa zona, uji arriti deri në 3 metra.

Kryeministri rumun Marcel Ciolacu ka njoftuar se janë ngritur vendstrehime të përkohshme për njerëzit që janë në rrezik nga vërshimet. Këtë njoftim, e bëri teksa të shtunën e kaluar vizitoi një prej qarqeve të goditura më rëndë, Galati. Kreu i qarkut të Galatit, Costel Fotea, tha se më shumë se 20 mijë banorë në të paktën 24 komunitete janë prekur rëndë nga përmbytjet.

Provinca austriake që rrethon kryeqytetin Vjenë u shpall “zonë fatkeqësie” ndërsa kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore.