Rënia e popullsisë pritet që të përmirësojë automatikisht një nga treguesit që Shqipëria e ka pasur më të ulëtin në Europë, atë të të ardhurave për frymë. Me 400 mijë persona që rezultojnë më pak, sesa shifrat me të cilën bëhej llogaria deri tani, vlera që prodhon ekonomia në një vit rishpërndahet në 2.4 milion persona dhe jo rreth 2.8 milion që përllogaritej treguesi për frymë deri tani.
Konkretisht, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), që mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare që prodhon ekonomia në një vit ishte 2.3 trilion lekë, ose 23 miliardë euro.
Po sipas Financave, të ardhurat për frymë të shprehura në lekë në vitin e kaluar ishin 829 mijë lekë. Kjo shifër është llogaritur për një popullsi prej 2.78 milion banorësh.
Me shifrën e re të popullsisë, prej 2.4 milion banorësh, treguesi për frymë automatikisht shkon në 963 mijë lekë për frymë, me një rritje prej 13% ose rreth 133 mijë lekë (1300 euro) më shumë për banor.
Sipas parashikimeve zyrtare të Ministrisë së Financave, Shqipëria ka arritur që sot në nivelin ku pritet të shkonim pas tre vitesh, më 2026-ën.
Deri tani, të dhënat e Eurostat-it e rendisnin Shqipërinë të fundit në Europë për të ardhurat për frymë, me rreth 35% të mesatares europiane. Por, tashmë ky tregues pritet të përmirësohet me një të rënë të lapsit e kjo për shkak të reduktimit të ndjeshëm të popullsisë.
INSTAT-i raportoi në censin e fundit të vitit 2023 se popullsia e vendit ka zbritur në rreth 2.4 milion banorë, nga 2.8 milion në censin e popullsisë të vitit 2011. Ndërkohë, përgjatë këtyre dekadave, llogaritjet për frymë në raport me popullsinë janë bërë me rreth 2.8 milion banorë.
Për vitin e kaluar, popullsia ishte vlerësuar në 2.76 milion banorë, përpara se të dilnin shifrat e Censit. Rënia e popullsisë pritet që të ndikojë të gjithë treguesit për frymë, ku përmirësimi më i dukshëm është te të ardhurat për frymë, ndërsa disa të tjera si aksidentet apo vrasjet në raport me popullsinë, apo dhe sëmundjet për frymë do të përkeqësohen./Monitor