Bota

Çdo 4 sekonda, në botë vdes një person nga uria!

“Një person besohet se vdes nga uria çdo katër sekonda”. Kështu paralajmërojnë sot mbi 200 organizata joqeveritare, duke bërë thirrje për marrjen e vendimeve në nivel global “për t’i dhënë fund spirales së krizës së urisë në botë”. Në një letër të hapur, të adresuar për liderët botërorë që mblidhen në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, 238 organizata nga 75 shtete, duke përfshirë, Oxfam, Save the Children dhe Plan International, shprehin zemërimin për nivelet e larta të urisë në botë.

Rreth 345 milion njerëz janë duke u përballur me urinë. Shifrat janë rritur më shumë se dyfish prej vitit 2019. Pavarësisht premtimeve nga liderët botërorë se nuk do të lejojnë më kurrë që të ketë uri në shekullin XXI, kriza e urisë ende është prezente në Somali. Rreth botës, 50 milion njerëz janë në prag të urisë në 45 shtete.

Duke përmendur se rreth 19 mijë e 700 njerëz vlerësohet se vdesin çdo ditë si pasojë e urisë, organizatat joqeveritare theksojnë se “kjo shifër nënkupton se një person vdes çdo katër sekonda”.

“Eshtë turp që me gjithë këtë teknologji në bujqësi dhe të tjera teknika, sot po flasim për uri në shekullin 21”, – deklaroi Mohanna Ahmed Ali Eljabaly, nga një prej organizatave që nënshkruan deklaratën.

Nuk ka të bëjë vetëm me një shtet apo një kontinent dhe uria kurrë nuk ka qenë arsyeja e vetme. Kjo situatë flet për padrejtësinë e gjithë njerëzimit.

Ndër vendet që më së shumti përballen me urinë janë: Somalia, Haiti, Xhibuti, Kenia, Nigeri, Afganistani, Guatemala, Madagaskari, si dhe Burkina Faso.

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sot nis punimet, ndërsa bota përballet me kriza të shumta, duke filluar nga lufta ruse që nisi më 24 shkurt në Ukrainë. Pas dy viteve kufizimesh për shkak të pandemisë koronavirus dhe takimeve online, OKB-ja u kërkoi liderëve botërorë të marrin pjesë fizikisht në organizim.