Art & Kulturë Çdo gjë është ashtu si duket

“Castigat”, një përmbledhje tregimesh përtej realitetit të rëndomtë!

Edhe pse me prejardhje nga shprehja latine “Castigat ridendo mores”, “i korrigjon zakonet duke qeshur me to”, që dikur afishohej në hyrjet e teatrove të komedisë, “Castigat”-i i titullit të këtij libri nuk është veçse një emër pene, me të cilin Ardian Vehbiu i pati botuar disa prej këtyre tregimeve në revistën “Peizazhe të fjalës” dhe nën të cilin ato janë bërë tashmë të njohura, në mos edhe të dashura, për publikun.

Nevoja për këtë “ndërrim” pseudonimi u shfaq sidomos pas botimit dhe ribotimit të vëllimit “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit”, një përmbledhje tregimesh që më parë kishin dalë, në pjesën më të madhe, tek e njëjta revistë, nën pseudonimin Maks Gjerazi. Autori i ri, sado që haptazi fiktiv, do të lajmëronte, kështu, një projekt të ri krijues, me synimin për të shfrytëzuar në rrjedhë të viteve, tensionin midis rrëfimit lakuriq të ligjërimit gojor, si në përrallat, anekdotat, aforizmat, microfiction, apologët, parabolat dhe fabulat dhe tekstit nonfiction, që jo rrallë e pati çuar autorin drejt efektit mirëfilli poetik.

I ndërvendosur mes vetë autorit dhe lexuesit, autori-personazh “Castigat” do të shërbente pastaj si sugjerim dhe kornizë për forma të caktuara, në mos unike, të aventurës së tij në fiction, paralelisht me ato të tjerat, që Vehbiu i pati eksploruar sa në romanin “Bolero”, ashtu edhe në dy vëllimet e “Zotit Shyti”; dhe që do të mundësonin rithemelimin e marrëdhënies së teksteve me lexuesin, përtej efektit realitet aq të konsumuar dhe të abuzuar nga proza realiste klasike.