Film & Tv

Carrie Bradshaw takon Christian Gray në “SexLife”-in e Netflix-it, në një serial shabllon dhe budalla gati në mënyrë kriminale. Kritikë

Nuk kemi pse të imagjinojmë arsye se pse “SexLife” ka që në qershor në krye të klasifikimeve të artikujve më të parë të Netflix, një titulli, dy skena sugjestionuese në trailer, tre është aq i keq bërë sa mbase duhet ta shohësh për t’u tallur, katër sepse është një përshtatje e novelës “44 Kapituj për 4 burra” (“44 Chapters about 4 men) nga BB Easton. Më quani çfarë të doni por pasi pashë 8 episode nga 40-44 minuta të “SexLife” (me shkëputje të vazhdueshme nga dalja e tij në Qershor të këtij viti) të shkepjeve pa mbarim me ndonjë melodramë në mes, nuk besoj se njerëzit po e shohin (o e kanë parë) prej dialogut.

Sarah Shahi luan Billie Connelly (Sarah është një nga problemet kryesore por jo e vetmja e serialit), një tridhjetëvjeçare me dy fëmijë të vegjël, që jeton në periferi të New York City-t me burrin e saj të ngjashëm me një kukull Ken – Cooper – i cili bën një punë nga ato të mjegulltat e televizionit, ku asnjë se di çfarë bën tamam, por vesh kostume e kollare në punë dhe është goxha i lodhur nga puna që bën. Çdo skenë interieri dhe çdo veshje dhe make up / hair style duket shumë i ngjashëm me një serial turk, nga ato që nuk i sheh kurrë – ama promon nuk e shmang dot sa herë shëtit me telekomandë.

Konflikti nis kur Billie kupton se nuk është e kënaqur me jetën e saj, sidomos anën seksuale, e cila është kthyer në rutinore. Në të njëzetat e saj kur po mbyllte doktoraturën për psikologji Billie paralelisht hmm, le të themi, shëtiste lule më lule në New York (për të mos përdorurn termin e saj – kurvëronte). Dikur ajo i nxirrte ujin e zi, ndërsa tani edhe kur është lakuriq nuk e ka vëmendjen e burrit, i cili preferon të shohë ndeshjen sesa të bëjë seks me gruan. Pra për juve që nuk e keni të qartë ende konfliktin e historisë – Billie është si flutura që djali i saj mbante mbyllur në kavanozin e tij në fillimin e serisë së parë:

“Nuk merr dot frymë aty dhe po nuk e lëshove do të vdesë aty brenda”


Billie fillon të ëndërrojë me sy hapur për jetën e saj të dikurshme me skena të zjarrta seksuale me ishin e saj – djalin e keq Brad, me xhaketën e tij të lëkurës një klishe me dy këmbë, po aq sa prerja e flokëve të bashkëshortit dhe kollaret e lidhura trashë. Brad më shumë se personazh është një model flokësh që ecën, pëlqen të dëgjojë Miles Davis, urren të atin që e braktisi kur ishte i vogël dhe ka një penis të madh. E kështu Billie nis të shkruaj në ditarin e saj në laptop çdo detaj të së shkuarës duke krahasuar me të tashmen, por ashtu si rastësisht e lë ‘ditarin’ sipër banakut të kuzhinës që (mos) ta lexojë i shoqi. Ky i fundit në fillim kërkon të plotësojë mungesat e Billiet, e pastaj bëhet xheloz e i pasigurt duke e çuar bashkëshorten drejt një zgjedhje të pamëshirshme:

Një jetë që çdo grua e do dhe përpiqet ta krijojë, apo seks të pangopur me penisin e madh me flokë??? Vendime, Vendime, Vendime.

Se si një dilemë si kjo zgjat për 8 seri, një Zot e merr vesh, duke parë sa i dobët është skenari, dialogjet, aktrimi, çdo gjë. Brad-i është djali i keq që sa herë që Billie sillet mirë me të ai ka shpërthime agresive prej të shkuarës familjare… marrëdhënia e të dyve është më keq e shkruar sesa dialogjet spontane të Noçes dhe Olsit në Big Brother 1 (do kisha thënë nga Përputhen, po nuk i njoh në këtë dimension) – edhe pse Billie shkruan në ditarin e saj se “…bisedat e tyre ishin dehëse”. Në fakt e vetmja gjë dehëse mes tyre është seksi, seksi ku do – e bojna në tavolina, në ashensor, në pishina, ndonjëherë edhe në krevat, xhanëm seksi është e vetmja gjë që e mban Brad-in në një sjellje normale, pa të kthehet në kokëlo*e.

Sex & the City i sjellë nga Netflix-i në 2021 është si të bësh popullore prapë Mojito-n si cocktail, gjithashtu Carrie Bradshaw nuk do shkruante kurrë në laptopin e saj “Stabiliteti dhe mungesa e kokëçarjes që ai solli në jetën time ishin një balsam qetësues për shpirtin tim të harxhuar e të djegur” për të shoqin, i cili pranon të shkojë në një orgji çiftesh të dëshpëruar për pak flakë në jetën e tyre të mërzitshme më fëmijë dhe ndeshje futbolli mbi seksin.

Sigurisht që seriali sjell tema diskutimi në një çift si përshëmbull – A duhet të martohet dikush që është ende shumë i lidhur me stilin e jetesës kur je në rini, a po a janë orgjitë dhe shkëmbimet e çifteve zgjidhje për mungesat e një martese afatgjatë. Për këtë të fundit përgjigjia duhet të jetë jo, gjithmonë jo, aq më shumë kur orgjia i ngjan shumë pak asaj të “Eyes Wide Shut” dhe shumë një skene të shkëputur nga filmat e komikëve të kthyer në Film-Bërës.