Marka botërore e modës Balenciaga prezantoi së fundmi në sfilatën e saj një çantë të diskutueshme në formën e një kutie këpucësh. Kjo markë e famshme njihet për perlat e shumta të cilat ritregohen vazhdimisht, jo vetëm në botën e modës, por edhe më gjerë.
Që kur stilisti gjeorgjian Demna Gvasalia erdhi në krye të markës, gjërat kanë lëvizur në drejtimin e modës së rrugës, pjesëve të mëdha dhe ekstravagante, madje edhe avangarde. Mirëpo, ka edhe disa pjesë që kanë arritur të shkaktojnë shumë polemika, siç ndodhi para pak kohësh rreth fundit-peshqir, i cili kushton mbi një mijë euro.
Në Shangai, pas Muzeut Pudong, Demna prezantoi një koleksion të ri. Ajo që ra në sy është një çantë prej lëkure në formën e kutisë së këpucëve, e cila me siguri nuk do të jetë nën një apo dy mijë euro, nisur nga praktika e mëparshme dhe çmimet e çantave. Stilisti i Balenciaga na befason gjithmonë me kreativitetin e tij.
“Këtë koleksion e kam bërë në një nivel shumë instinktiv rreth asaj që më pëlqen, asaj që më emocionon, asaj që më krijon dëshirë. Balenciaga me këtë shfaqje është gjetja e një lloji të ri ekuilibri mes gjithë këtyre aspekteve të ndryshme të estetikës dhe stilit tim”-tha Demna në një intervistë për American Vogue.
Rikujtojmë se Balenciaga goditi sërish me byrzylykun si ngjitës letre, i cili kushton 4400 dollarë. Videot që ironizojnë produktin po qarkullojnë kudo në rrjetet sociale ndërsa shumë përdorues e quajnë këtë një tallje, pasi kjo nuk është hera e parë që kjo shtëpi mode luksoze merr produkte të përditshme dhe i ngjit në lartësinë e modës së lartë, me logon e saj dhe me një ‘çmim të kripur’.