Aktualitet

Cannabis në një godinë të vjetër në Tiranë, policia: Disa të shoqëruar!

Policia e Tiranës dha informacion zyrtar për laboratorin e drogës që u gjet në zonën e Selitës në kryeqytet në një godinë të vjetër që dikur i përkiste shtetit. Gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave.

Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A.C., K. K. dhe V.S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Për rastin janë shoqëruar në ambientet e Policisë, disa shtetas, ndërkaq një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje, për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht, rrethanat. Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast.