Aktualitet

Çamçakëzi që përgjum fëmijët, Policia: Nuk ka lënde psikotrope, ka vitaminë E!

Detaje mbi atë që njihet si “Çamçakëzi që përgjum fëmijët” dhe që pak ditë më parë u denoncua se qarkullon në institucionet arsimore në kryeqytet. Përmes një deklarate, policia sqaron se “sipas hetimeve të kryera dhe analizave, rezultoi se “Çamçakëzi që përgjum fëmijët” nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope”.

Njoftimi zyrtar policor: 

Në vijim të kontrolleve të ushtuara, në një shkollë në Yzberisht është sekuestruar një tabletë në ngjyrë jeshile dhe nga analizat përkatëse në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP-së, u arrit në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope dhe rezulton të ketë në përbërje vitaminë E. Pavarësisht këtij rezultati të nxjerrë, strukturat policore do të vazhdojnë kontrollin dhe monitorimin në të gjitha shkollat.

Në lidhje me të njëjtin shqetësim, dy ditë më parë (25 tetor), Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë raportonte se kishte nisur kontrollet dhe verifikimet në të gjitha shkollat e kryeqytetit, pas publikimit të një lajmi në media, ku pretendohen raste të përdorimit të një çamçakëzi që përgjum fëmijët.

Në lidhje me një lajm të publikuar ditën e sotme (25 tetor 2024), në disa media e portale, në të cilin thuhet se në një shkollë në Tiranë është evidentuar rasti i përdorimit të një “çamçakëzi që përgjum fëmijët”, ju informojmë se shërbimet e policisë, menjëherë pas publikimit, kanë marrë kontakte me drejtuesit dhe stafet pedagogjike të të gjitha shkollave të Tiranës, si dhe po ushtrojnë kontrolle për verifikimin e rastit në fjalë.

Po ashtu, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që menjëherë të njoftojnë policinë në rast konstatimi të këtyre substancave. Vijon puna për sqarimin e rrethanave të këtij rasti të publikuar.

Rasti në fjalë u bë publik nga një mësuese, e cila kishte konstatuar përgjumjen e nxënësve, pas përdorimit të këtij çamçakëzi, duke kërkuar kështu hetime të mëtejshme nga Policia e Shtetit.