Aktualitet

Caktohet gjyqi për Berishën/Më 24 tetor seanca paraprake për dosjen Partizani!

Dosja “Partizani”, caktohet gjyqi për Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurit e tjerë, mes tyre ndërtuesi Fatmir Bektashi. Në Gjykatën e Posaçme, seanca paraprake do të mbahet më  24 tetor, ora 12:00 me gjyqtare Flojera Davidhin. Në lidhje me privatizimin e klubit sportiv “Partizani” në kryeqytet, ish-kryeministri akuzohet për “Korrupsion pasiv”. GJKKO-ja do të shqyrtojë materialet para se të vendosë lidhur me kalimin e dosjes për gjykim.

Malltezi akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”, Bektashi për “Korrupsion aktiv” e “Pastrim të parave” ndërsa Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, për “Pastrim parash”. Pas hetimeve, SPAK-u dërgoi në GJKKO dosjen me 5 të pandehur duke kërkuar nisjen e gjykimit. Më 16 tetor, në Gjykatën e Posaçme u hodh shorti për të caktuar gjyqtaren e seancës paraprake. Flojera Davidhi do të marrë në shqyrtim dosjen me 333 fashikuj, për të vendosur nëse kalon apo jo për gjykim.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK akuzon Fatmir Bektashin, për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

Xhimi Begeja, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Andia Pustina, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.

SPAK ka dërguar për gjykim edhe shoqëritë tregtare të përfshira në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

SPAK bën të ditur se subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio “Pustina” sh.p.k. akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.

Po ashtu edhe subjekti juridik, shoqëria tregtare, “Homeplan” sh.p.k., akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” si dhe subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k., që sipas SPAK akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sali Berisha prej fundit të dhjetorit, ndodhet në “arrest shtëpie”, pasi nuk zbatoi një vendim të mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, vendim të cilin ai e konsideron si antikushtetues.