Balenciaga godet sërish me byrzylykun si ngjitës letre, i cili kushton 4400 dollarë. Videot që ironizojnë produktin po qarkullojnë kudo në rrjetet sociale ndërsa shumë përdorues e quajnë këtë një tallje, pasi kjo nuk është hera e parë që kjo shtëpi mode luksoze merr produkte të përditshme dhe i ngjit në lartësinë e modës së lartë, me logon e saj dhe me një ‘çmim të kripur’.
https://www.tiktok.com/@highsnobiety/video/7342814112575065390?is_from_webapp=1&sender_device=pc
Byrzylyku, i krijuar për t’i ngjasuar një rrotulle shiriti me ngjitës transparent ishte pjesë e koleksionit vjeshtë/dimër 2024-25 të Balenciaga, i zbuluar gjatë Javës së Modës në Paris dhe luan me konceptin e materialeve të paketimit si aksesorë të modës. Balenciaga është kritikuar ashpër për disa fushata që seriozisht kanë marrë edhe mijëra komente negative në platforma të ndryshme sociale dhe kanë krijuar debat. Gjithçka nisi me fushatën kontroverse të arushit të pelushit të lidhur me disa litarë që u konceptuan nga shumë persona si veshje robërie dhe që ngjalli polemika dhe reagime të shumta në internet.
Por nuk mbeten pas edhe shapkat si shishe, vathët si lidhëse këpucësh, çanta si qese plehrash dhe së fundmi edhe peshqiri si fund. Këto fushata reklamash jashtëzakonisht të çuditshme sigurisht që kanë sjellë reagime të pafundme nga njerëzit që pyesnin nëse marka e ka seriozisht apo tallet. Për më tepër, marka është “anuluar” kryesisht në mediat e njohura, duke bërë që të famshëm të heqin dorë prej saj dhe të fshijnë postimet e tyre në mediat sociale të veshur me veshje Balenciaga.
Dhe, e gjithë kjo ngre pyetjen se pse Balenciaga ka nisur të publikojë një seri kaq të çuditshme dhe fyese veshjesh? Epo në thelb “e çuditshmja” është diçka e Balenciaga-s. Kompania është në qendër të vëmendjes së botës së modës duke krijuar pjesë të çuditshme dhe të guximshme nga koleksionet e tyre që i bëjnë konsumatorët të rishikojnë se çfarë është në të vërtetë është modë. Shumë prej produkteve të tyre priren më shumë drejt artit modern sesa modës tradicionale dhe ashtu si arti modern, shumë prej tyre nuk kanë kuptim.