Sport

Bylis fiton me përmbysje ndaj Flamurtarit, Elbasani nuk gabon në shtëpi!

Në ndeshjen e javës së 31 të Kategorisë së Parë, Bylis mposhti me rezultatin 4-2, Flamurtarin. Në fakt, mallakastriotët nuk e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen duke qenë se e gjetën vetën dy herë në disavantazh brenda pjesës së parë e cila u mbyll me shifrat 1-2 për vlonjatët.

Megjithatë, në fraksionin e pjesës së dytë, vendasit kishin një “marsh” më shumë dhe përmbysën kuqezinjtë duke shënuar tre herë e fiksuar rezultatin final në 4-2.

Pas kësaj jave, Bylis mbetet i dyti me 70 pikë teksa e ka siguruar rikthimin në elitë për sezonin e ardhshëm ndërsa nga ana tjetër, Flamurtari mban vendin e tretë me 55 pikë teksa edhe vlonjatët kanë siguruar pjesëmarrjen në “play-off” për të tentuar ngjitjen në Superiore.

Në ndeshjen tjetër, Elbasani fitoi në shtëpi ndaj Vorës me rezultatin 2-0.

Mjaftoi një gol i Lleshit për vendasit në minutën e dytë dhe një tjetër në fundin e ndeshjes, për të marrë tre pikët e radhës dhe për të ruajtur vendin e parë në klasifikim me 73 pikë teksa Vora mban vendin e katërt me 48 pikë, e sigurt për zonën “play-off”.