Aktualitet

Buxheti 2025/ Proda: “Do të rrisim operacionet e forcave speciale për kapjen e autorëve të veprave të rënda kriminale”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në seancën dëgjimore për buxhetin e vitit 2025, në Komisionin e Sigurisë, ka treguar sesi do të përdoren paratë që do t’i alokohen institucionit që ai drejton.

Proda ka treguar se qëllimi i Policisë së shtetit është të garantojë sigurinë e rendit publik, sigurinë e pronës, rritjen e parametrave të sigurisë rrugore si dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët.

Duke u ndalur më në detaje, Proda tha se Policia e Shtetit synon të rrisë shpejtësinë e reagimit në 13 minuta.

Ndër të tjera ai tha se synojnë rritjen e operacioneve të forcave speciale për kapjen e autorëve të veprave penale të rënda kriminale.

“Policia e Shtetit përgjatë periudhës 2025-2027 synon të garantojë sigurimin rendin publik, sigurimin e pronës publike dhe asaj private, rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, krijimin e një mjedisi të sigurt për komunitetin, përmes shërbimeve profesionale.

Gjatë viteve 2025-2027, policia do të përmbushë objektivat e saj për rritjen e sigurisë publike dhe asaj rrugore përmes patrullimeve në rrugë dhe forcimit të kontrollit të territorit me policinë në komunitet, duke synuar rritjen e shpejtësisë së reagimit të shërbimeve policore në 13 minuta për viteve 2025-2027.

Rritja e operacioneve të hetuara dhe shërbimeve dhe operacioneve të posaçme. Synohet gjithashtu  ulja e numrit të aksidenteve në rrugë dhe ulja e aksidentet me pasojë vdekjen.

Rritja e operacioneve të forcave speciale për kapjen e autorëve të veprave penale të rënda kriminale dhe reduktimi i kohës së reagimit ndaj krimit të dhunës familje në 13 minuta.

Rritja e numrit të hetimeve proaktive në fushën e krimeve, korrupsionit dhe veprave penale të kryera gjatë ushtrimit të detyrës

Rritja e hetimeve proaktive pas pastrimin e produkteve të veprës penale dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale si vrasja etj.

Rritjen  e hetimeve proaktive ndaj personave me tendencë terroriste.

Rritja e numrin të punonjësve të policisë dhe pajisje të IT me standarde teknologjike

Ulja e rasteve të trafikut të lëndëve narkotike në kufi.

Buxheti i parashikuar për vitin 2025 është me rritje dhe garantohet mbështetja financiare për krijimin e kushteve për strukturat e policisë së shtetit”, tha Proda.

Ai gjithashtu ka folur dhe për fonde shtesë, ku ndër të tjera kërkoi financim për 700 mjete të reja.

“Me rëndësi shumë të madhe do të ishte dhe financimi i flotës së mjeteve sepse ne aktualisht përdorim me qira, të cilat kanë një kosto shumë të madhe dhe do të ishte me rentabël që këto mjete të ishin në pronësi të Policisë së Shtetit. Aktualisht, 50% e flotës është e amortizuar. Kemi nevojë për 700 mjete që mendojmë se i plotësojnë nevojat tona dhe do të ishte e udhës të shikoj mundësia për ta financuar”, tha Proda.