Aktualitet

Business Matching, eventi në Emiratet e Bashkuara Arabe, prezantohet edhe Lori Caffe!

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, me sukses u zhvillua i pari event i bashkëpunimit të bizneseve të njohur ndryshe me termin ndërkombëtar si “Business Matching”. Bëhet e ditur se ky ishte një organizim i sipërmarrësve shqiptarë në bashkëpunim me partnerët e tyre prestigjiozë në Dhomën e Tregtisë së Abu Dhabit, Dubait dhe Sharajh.

Në katër ditë, bizneset më prestigjioze shqiptare ku ndër to edhe Lori Caffe, patën mundësinë që të njihen nga afër, të diskutojnë e konkretizojnë plane për investime të ardhshme në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe anasjelltas. Eventi i këtyre përmasave ndërkombëtare hap mundësi e perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik e tregtar mes dy vendeve. Për Top Channel, Egli Haxhiaj, drejtues i Fare Impresa u shpreh:

Ka ardhur momenti që kompanitë shqiptare të shikojnë edhe këtë treg me shumë potencial e mendoj se kemi krijuar një event shumë unik. Kjo edhe për vetë faktin se jemi në katër dhomat e biznesit më të mëdha të Emirateve të Bashkuara e kemi një lidhje nëpërmjet Dhomës së Tregtisë me të gjithë ekosistemin e bizneseve lokale. Dhe madje mund që ta them paraprakisht për Top Channel, kemi një investim, i cili do të krijojë kullën e parë shqiptare në Dubai.

Përveç ndërtimit, kompanitë shqiptare shprehën interesin për të investuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, edhe në fushën e shpërndarjes së produkteve ushqimore e agrare. Po ashtu, interesi ishte reciprok për investime nga kompanitë e Emirateve të Bashkuara Arabe e sidomos në fushat e turizmit dhe ndërtimit të resorteve turistike./Top Channel