Lifestyle

Burrat e kanë më të vështirë ruajtjen e miqësive, por ja rëndësia e një shoku të ngushtë në jetën e tyre!

Miqësitë janë një element kryesor i përvojës njerëzore, thonë ekspertët. Por krijimi dhe ruajtja e miqësive të thella dhe kuptimplota si të rritur është e vështirë, veçanërisht për burrat, sipas studimeve.

Më pak se gjysma e burrave raportojnë se janë të kënaqur me miqësitë e tyre dhe vetëm rreth 1 në 5 prej tyre kanë marrë mbështetje emocionale nga një mik gjatë javës së fundit, krahasuar me 4 në 10 gra, sipas një ankete të vitit 2021 nga qendra e anketimit “American Life”. Dobësimi i miqësive mes burrave fillon rreth moshës së adoleshencës së mesme dhe të vonë dhe bëhet më i theksuar në moshën e rritur, tha Judy Yi-Chung Chu, e cila jep një kurs mbi zhvillimin psikologjik të djemve në universitetin Stanford.

Gjithashtu, ata që mbajnë miqësi me burra të tjerë, shpesh raportojnë se kanë nivele më të ulëta të përfshirjes emocionale sesa gratë. Dr. Niobe Way, një kërkuese dhe profesoreshë e psikologjisë së zbatuar në universitetin e New York, tha:

Djemtë nuk lindin të shkëputur emocionalisht, ata bëhen të tillë. Studimet kanë treguar se miqësitë e ngushta mbrojnë shëndetin tonë mendor dhe fizik.

Dr. Frank Sileo, një psikolog nga Ridgewood, New Jersey nga ana tjetër shton:

Burrat që u japin përparësi këtyre raporteve shoqërore po luftojnë kundër një prej gjërave më të dëmshme për shëndetin njerëzor, vetminë. Ajo që burrat rrezikojnë të humbasin është ndjesia e të mos qenit vetëm në botë ose të mos qenit vetëm në përvojën e tyre jetësore. Studimet kanë treguar se zbulimi i shqetësimit emocional përmirëson mirëqenien emocionale të burrave, rrit ndjenjat e të qenit të kuptuar dhe rezulton në më pak vetmi.