Bota

Burimet ruse: “Ukraina ka shkatërruar ose dëmtuar tre urat mbi lumin Seym të Rusisë”!

Forcat ukrainase kanë shkatërruar ose dëmtuar tre urat mbi lumin Seym në pjesën perëndimore ruse, sipas burimeve të Moskës, ndërsa e marta shënoi javën e tretë të aksionit ushtarak ukrainas në territorin rus. Sulmi i Kievit në rajonin rus të Kursk-ut po ndryshon rrjedhën e luftës dhe po rrit moralin në mesin e popullit ukrainas të lodhur nga agresioni rus. Sidoqoftë, është e pamundur të parashikohet rezultati përfundimtar i sulmit të parë kundër Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pavarësisht suksesit të depërtimit të Kievit në territorin rus, trupat e Moskës janë pranë marrjes së kontrollit të qytetit të rëndësishëm Pokrovost në pjesën lindore të Ukrainës. Sulmet e Ukrainës ndaj tre urave mbi lumin Seym në Kursk mund të bllokojnë trupat ruse përtej lumit dhe futjen në territorin ukrainas. Situata po ashtu mund të ndikojë në përparimin e trupave ukrainase. Sulmi ka ndikuar në ngadalësimin e reagimit rus ndaj aksionit ukrainas në Kursk që filloi më 6 gusht.

Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, postoi gjatë fundjavës në median sociale dy video të goditjes së urave mbi lumin Seym. Fotot satelitore nga “Planet Labs PBC”, të analizuara të martën nga agjencia e lajmeve Associated Press konfirmuan se një urë në qytetin Glushkovo ishte shkatërruar. Një hetues ushtarak rus konfirmoi të hënën se Ukraina kishte shkatërruar krejtësisht një urë dhe dëmtuar dy të tjera në zonë. Shkalla e plotë e dëmit mbetet e paqartë.

Si rezultat i sulmeve me raketa dhe artileri kundër ndërtesave të banimit dhe infrastrukturës civile në fshatin Karyzh … u dëmtua një urë e tretë mbi lumin Seym. Që nga fillimi i sulmit ukrainas në rajonin e Kurskut, ushtria e Kievit ka marrë nën kontroll një territor rus prej 1250 kilometrash katrorë dhe 92 vendbanime, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, njoftoi se 17 persona kanë vdekur dhe 140 janë plagosur që nga fillimi sulmit ukrainas, duke cituar një burim të paidentifikuar të shërbimit mjekësor rus. Mes 75 personave të shtruar në spital, katër janë fëmijë.