Aktualitet Politikë

Burgosja e Salianjit, opozita njofton bojkot/Vendimi përfundimtar në mbledhje grupi!

Deputetët e Partisë Demokratike, sot nuk morën pjesë në komisionin hetimor të Kuvendit për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up-it në Shëndetësi. Zv.kryetari Plarent Ndreca:

Sot në orën 11:00 fillonte procesi i dëshmive të konfirmuara më parë. Në orën 11:00 ishte thirrur dëshmitari Mihal Tase, thirrja me shkresë është kthyer mbrapsht nga Posta, e cila përcakton se adresa është e paqartë. Në kushtet kur nuk është realizuar njoftimi do ta ndërpresim mbledhjen dhe ta nisim në 12:00 me dëshminë e dëshmitarit tjetër.

Deputeti socialist, Petro Koçi:

Besoj se nuk kemi zgjidhje tjetër dhe do të vazhdojmë me thirrjen e dëshmitarëve të tjerë.

Seanca dëgjimore me dëshmitarët, për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale do të vijojë me Myftar Barbullushin, Mentor Petrelën, Nikollaq Kacanin, Mustafa Xhanin e Arben Beqirin.

Opozita nuk mori pjesë as në Komisionin e Ligjeve, pasi ka nisur aksionin pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji për veprën penale “Kallëzim i rremë” në dosjen “Babale” ku doli se një audiopërgjim i rremë përfshinte në trafik droge vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.

Nesër (30.09.2024) nuk marrim pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare, me përjashtim të Edi Palokës dhe Jorida Tabakut, që me porosi të Kryetarit të Partisë do të jenë tek Integrimi për të shprehur qëndrimin e Partisë Demokratike lidhur me hapjen e negociatave me Bashkimit Europian. Ndërkohë, rikujtesë për mbledhjen e grupit parlamentar nesër (30.09.2004) në seli në orën 15:00, shkruhej në njoftimin e një dite më parë të opozitës.

Vendimi përfundimtar në lidhje me bojkotin e opozitës pritet sot në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Dënimin nga Apeli e burgosjen e deputetit Salianji, Sali Berisha e quajti “akt lufte” ndaj opozitës e paralajmëroi se do të përgjigjen me “mosbindjen më të thellë civile”. Më 7 tetor është thirrur një protestë e madhe.

Ndërkaq, më herët në një dalje për mediat, demokrati Edi Paloka foli nga Kryesia e Kuvendit për disa propozime, siç tha, “me qëllim shkëputjen e krimit nga politika”.