Burgosja e Ervin Salianjit, Sali Berisha tha sot se “është akt lufte”, të cilit siç deklaroi, “do t’i përgjigjen me qëndresën dhe me mosbindjen më të fuqishme civile. “PD-ja do të realizojë përmbysjen e kësaj ngrehine droge dhe krimi të vëllazërive mafioze, si Rama, Xhafaj, etj e do të çelë për shqiptarët rrugën e zgjedhjeve të lira në një qeveri teknike”, u shpreh kryetari demokrat.
Demokrate e demokratë! Qytetarë dhe qytetare. Burgosja e Ervin Salianjit ishte një akt lufte ndaj nesh, por nuk ishte akti i parë i luftës. Edi Rama këtë luftë e shpalli me kohë, që kur rrëmbeu flamurin e PD-së, vendosi në “Arrest shtëpie”, pa asnjë fakt, bazë, dokument, kryetarin e kësaj partie.
Arrestoi kandidatin fitues të Bashkisë së Himarës dhe i rrëmbeu mandatin, përfaqësuesin e opozitës. Vuri në ndjekje penale drejtues të tjerë apo persekutim publik, Ilir Metën, Fatmir Mediun. Pra ky është akti i fundit me të cilin Edi Rama, i shpall luftë opozitës.
Unë jam sot këtu para jush për të deklaruar se PD-ja, do t’i përgjigjet këtij akti lufte me qëndresën më të fuqishme qytetare, me mosbindjen më të fuqishme civile, se kjo parti as nuk kalon në klandestinitet as nuk shmang proceset zgjedhore.
Por kjo parti do të përdorë të gjithë guximin, vendosmërinë, trimërinë, e mijëra e mijëra anëtarëve dhe mbështetësve të saj, në mënyrë që ti japë përgjigjen më të merituar mafias Rama-Xhafaj, në mënyrë që të realizojë atë që në pamje të parë duket mision i pamundshëm.
Por, si parti e misioneve të mëdha e të pamundshme, për demokratët sot nuk ka asgjë të pamundshme. Do të realizojë përmbysjen e kësaj ngrehine droge dhe krimi të vëllazërive mafioze, Rama, Xhafaj, etj dhe do të çelë për shqiptarët rrugën e zgjedhjeve të lira në një qeveri teknike. Do të rikthejë Shqipërinë në procest e zhvillimit dhe integrimit të saj.
O sot, o kurrë, demokrate e demokratë jeni të ftuar t’i përkushtoheni me çdo gjë kësaj beteje vendimtare për fatin e PD-së. Vendimtare për fatin e opozitës dhe pluralizmit. Vendimtare për fitoren mbi krimin, mafian dhe drogën, vendimtare për fatin e Shqipërisë.