Ndërsa sa vjen e zgjerohet lista e kompanive të huaja, sidomos amerikane që braktisin aktivitetet në Rusi për shkak të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, jo të gjitha e kanë të lehtë. Për vështirësi mund të dëshmojë Burger King. Administratori vendas i 800 restoranteve Burger King habiti me vendimin për të mos i mbyllur.
Ndryshe nga emra të njohur të cilët nuk kanë nevojë për prezantim si McDonald’s, Coca-Cola, Pepsi e Starbucks e që vepruan për të mos shpërfillur vuajtjet e njerëzve në Ukrainë, në rastin e fundit ka rezistencë dhe lamtumira nuk duket e lehtë.
Shkaku lidhet me ato që përshkruhen si “kontrata të komplikuara”. Në një letër personale, presidenti i zinxhirit të ushqimeve fast food, David Shear i kërkoi partnerit rus Alexander Kolobov mbylljen, por ky i fundit nuk pranoi. Përballë këtij refuzimi, Restaurant Brands International, që ka në pronësi Burger King-un i dha fund mbështetjes për prokurimin apo operacionet e marketingut në Rusi. Në këto kushte, nuk pranon as propozimet për investime e zgjerim të aktivitetit në shtetin rus.
Me nisjen e agresionit rus, ndër të tjera, Rusisë iu desh të përshëndetej me hamburgerat, pijet e ndryshme, kapuçinot, markat e njohura të birrave e deri me lojërat elektronike. Sony ndaloi shitjen e PlayStation dhe kompania japoneze vendosi të dhurojë 2 milion dollarë për UNHCR-në e Save the Children, në mbështetje edhe të fëmijëve, viktima të luftës në Ukrainë.