Aktualitet

Bulqizë, riaktivizohet zjarri në malin e Tërnovës!

Zjarri në malin e Tërnovës në njësinë administrative Zerqan të bashkisë së Bulqizës është riaktivizuar teksa dje u raportua i fikur. Burime nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, AKMC konfirmojnë se vatra është nën kontroll.

Sot u riaktivizua vatra e zjarrit në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, si pasojë e rrëshqitjes së mbetjeve drusore dhe trungjeve brenda perimetrit të përshkuar nga zjarri. Në vendngjarje u angazhuan 35 forca bashkiake. Në mbështetje të forcave në terren janë angazhuar 25 trupa ushtarake. Vatra e zjarrit është nën kontroll.

Ndërkaq, më herët u njoftua shuarja e zjarreve të fortë në Finiq e Delvinë. Lajmin e njoftoi Ministria e Mbrojtjes:

Pas një pune të pandërprerë edhe gjatë natës nga forcat operacionale nga bashkitë Finiq, Delvinë, Himarë, Sarandë, Konispol e Dropull, mbështetur nga 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri “Cougar” është bërë e mundur shuarja e zjarreve në Finiq dhe Delvinë.

Por, situata po vazhdon të monitorohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.  Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohje për të gjithë efektivët e përfshirë në këto operacione, që zhvillohen në kushtet e temperaturave të larta dhe në terrene të vështira.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme për shkak të qarkullimit të masave ajrore të nxehta me origjinë jugore.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa në orët e mesditës deri ato të pasdites vonë, në relievet kodrinore-malore të vendit priten vranësira kalimtare, të cilat do të jenë më të theksuara në relievet e larta të vendit. Pikërisht atje, në orët e nxehta të ditës priten reshje shiu afatshkurtra e të izoluara (kryesisht në formën e pikave). Po ashtu, në mënyrë tepër të izoluar, reshjet në këto zona do të jenë në formën e shtrëngatave. Temperaturat variojnë 16-39 gradë celcius.