Aktualitet

Bulqizë, 30 ha pyje në flakë në Ternovë!

Flakët e zjarrit kanë përfshirë “Pyllin e lopës” në fshatin Ternovë të njësisë administrative Zerqan në Bashkinë Bulqizë. Prefekti i qarkut të Bulqizës, Nexhbedin Shehu tha se gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme, vatra u zgjeruar më shumë, e ndihmuar nga era e fortë.

Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri i kalon 30 ha me pyje pishe e ahu. Edhe sot janë angazhuar rreth 25 forca të bashkisë dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura, por siç duket nga shtrirja e madhe e perimetrit të zjarrit dhe tymit të madh që nuk lejon forcat operacionale t’i afrohen perimetrit të zjarrit, është bërë e pamundur shuarja e zjarrit me forca tokësore.

Në kushtet aktuale vetëm nga ajri mund t’i pritet hovi, për të mundësuar izolimin e tij. Momentalisht po i kërkojmë Shtabit të Përgjithshëm mbështetje nga ajri për shuarjen e zjarrit.

Zjarri u riaktivizua teksa dje u raportua i fikur. Burime nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, AKMC konfirmojnë se vatra është nën kontroll.

Sot u riaktivizua vatra e zjarrit në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, si pasojë e rrëshqitjes së mbetjeve drusore dhe trungjeve brenda perimetrit të përshkuar nga zjarri. Në vendngjarje u angazhuan 35 forca bashkiake.

Ndërkaq, më herët u njoftua shuarja e zjarreve të fortë në Finiq e Delvinë. Lajmin e njoftoi Ministria e Mbrojtjes:

Pas një pune të pandërprerë edhe gjatë natës nga forcat operacionale nga bashkitë Finiq, Delvinë, Himarë, Sarandë, Konispol e Dropull, mbështetur nga 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri “Cougar” është bërë e mundur shuarja e zjarreve në Finiq dhe Delvinë.

Por, situata po vazhdon të monitorohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.  Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohje për të gjithë efektivët e përfshirë në këto operacione, që zhvillohen në kushtet e temperaturave të larta dhe në terrene të vështira.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme për shkak të qarkullimit të masave ajrore të nxehta me origjinë jugore.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa në orët e mesditës deri ato të pasdites vonë, në relievet kodrinore-malore të vendit priten vranësira kalimtare, të cilat do të jenë më të theksuara në relievet e larta të vendit.

Pikërisht atje, në orët e nxehta të ditës priten reshje shiu afatshkurtra e të izoluara (kryesisht në formën e pikave). Po ashtu, në mënyrë tepër të izoluar, reshjet në këto zona do të jenë në formën e shtrëngatave. Temperaturat variojnë 16-39 gradë celcius.