Bota

Bullgaria ndalon promovimin e LGBT+ në shkolla!

Parlamenti i Bullgarisë mori një vendim që pritet “t’i hapë telashe” në Bruksel, pasi ndaloi mesazhet joheteroseksuale në shkollat e këtij vendi anëtar të Bashkimit Europian, BE. Kjo sipas shembullit të tre shteteve të tjera Hungarisë, Polonisë e Sllovakisë.

Sipas një ligji të ri, çdo promovim ose nxitje në lidhje me “orientimin seksual jotradicional” apo edhe vetëvendosjen gjinore e që ndryshon nga gjinia e lindjes, ndalohet në sistemin parashkollor, si dhe në shkollat bullgare.

Pra, janë kufizime të ngjashme që ekzistojnë në vendet anëtare të BE-së si Hungari, Poloni e Sllovaki. Jashtë Unionit, të drejtat e njerëzve LGBT+ (lesbike, homoseksual, biseksual dhe transgjinor dhe komuniteti më i gjerë queer) përballen gjithashtu me kufizime të rënda, siç shihet në rastet e raportuara në Rusi ku autoritetet veprojnë me “grusht të hekurt”.

Amendamenti i ligjit, i cili u prezantua nga partia pro ruse “Vazrazhdane” u mbështet nga anëtarë të parlamentit nga grupe të ndryshme politike në Bullgari, duke përfshirë aleancën e qendrës së djathtë GERB-SDS, partinë populiste ITN, atë Socialiste, si dhe pjesërisht forcën politike DPS, e cila përfaqëson interesat e pakicave turke e të tjera.

Megjithatë, aleanca liberal-konservatore PP-DB votoi në pjesën më të madhe kundër amendamentit. Anëtarët dhe mbështetësit e komunitetit LGBT+ protestuan për votën pro tij në manifestimin e mbajtur para ndërtesës së parlamentit në Sofje, dje në mbrëmje.

Protestuesit shprehën refuzimin e tyre për të heshtur duke brohoritur dhe shfaqur pankarta me mesazhin “Mos përsërisni rrugën e Rusisë!”.