Partia e ekstremit të djathtë, Rilindja, sërish po kërkon që Bullgaria të miratojë një ligj që do të ndëshkonte këdo që merr fonde nga jashtë, i ngjashëm me legjislacionin për “Agjentët e huaj” në Rusi, që është kopjuar edhe nga shtetet e tjera. Kritikët paralajmërojnë se ligje të tilla synojnë t’ua mbyllin gojën kundërshtarëve.
Por, disa nga anëtarët e profilit të lartë të Rilindjes, si dhe bashkëshortja e udhëheqësit të partisë, Kostadin Kostadinoc, duket se kanë përfituar nga programet e financuara nga jashtë, të cilat kjo parti tani po i kritikon.
Ligji kufizues për “Agjentët e huaj, që Rusia prezantoi më 2012-ën, por e ka forcuar edhe më shumë që atëherë, shërben si model për qeveritë e tjera që kërkojnë t’ua mbyllin gojën kritikëve, thonë vëzhguesit.
Më herët gjatë këtij viti, qeveria e Gjeorgjisë dërgoi në Parlament një version të saj të ligjit për “Agjentët e huaj” pavarësisht se kundër një ligji të tillë për javë të tëra pati protesta.
Në dhjetor të vitit 2023, parlamenti hungarez miratoi ligjin për “mbrojtjen e sovranitetit kombëtar”, i shtyrë nga kryeministri nacionalist Viktor Orban. Kritikët thonë se është i ngjashëm me ligjin rus.
Shënjestrimi i partisë Rilindja ndaj organizatave joqeveritare dhe individëve që marrin financim nga jashtë vjen pas në suksesi legjislativ së fundi, që tronditi shoqërinë civile në Bullgari. Partia e ekstremit të djathtë, e cila shpesh amplifikon narrativat pro-Kremlinit dhe ka kërkuar që Bullgaria të largohet nga NATO-ja, arriti të miratonte në Asamblenë Kombëtare të Bullgarisë ligjin që ndalon “propagandën homoseksuale” në shkolla. Ky ligj u miratua pavarësisht protestave në Bullgari dhe kritikave nga jashtë.
Kjo nuk është hera e parë që Rilindja, parti që shtyu përpara dezinformatat kundër vaksinave gjatë pandemisë COVID-19, ndërmerr qëndrime të tilla sa i përket financimeve nga jashtë. Më 2022-shin, kjo parti propozoi një version më të butë të ligjit që shënjestronte vetëm gazetarët që merrnin fonde nga jashtë. Kjo përpjekje legjislative nuk u miratua në Parlament, pas një vale kritikash, përfshirë nga organizatat ndërkombëtare mediatike. Megjithatë, Rilindja nuk u zmbraps dhe një vit më vonë tentoi sërish ta miratonte këtë ligj edhe pse nuk ia doli e dështoi.
Tani, ndoshta e nxitur nga fitorja në Parlament sa i përket ligjit kundër komunitetit LGBT, që kaloi me ndihmën e disa partive që janë pro Bashkimit Europian, partia Rilindja po tenton sërish.