Bota

Brukseli zyrtar reagon për referendumin në Moldavi!

Referendumi në Moldavi për të përfshirë në kushtetutë një kurs pro-Bashkimit Europian po ndodh “nën ndërhyrjen e paprecedentë të Rusisë”. Kështu tha sot një zëdhënës i Komisionit Europian.

Ndërhyrja në zgjedhje nga Rusia për të destabilizuar proceset demokratike në Republikën e Moldavisë është vërejtur për një kohë të gjatë. Akuzat për blerje votash në Moldavi, transportimi i votuesve me autobusë dhe fushatat masive propagandistike nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj në vend janë disa nga shembujt e fundit.

Ish-republika sovjetike e Moldavisë me sa duket ka votuar me një shumicë të vogël për të përfshirë në kushtetutë një kurs pro-Bashkimit Europian, megjithëse rezultati nuk është përfundimtar.

BE-ja është e vendosur të mbështesë rritjen ekonomike të Moldavisë dhe reformat demokratike si një fqinj shumë i rëndësishëm dhe një vend kandidat për t’u bashkuar me bllokun.

Drejt balotazhit presidencialet në Moldavi që u mbajtën dje bashkë me votimin e referendumir. Presidentja proeuropiane Maia Sandu, fitoi raundin e parë.  Përmes një deklarate herët në mëngjes, Sandu tha se votimet ishin nën një sulm “të paprecedent” nga “grupet kriminale” që tentuan të blinin qindra mijëra vota, në përpjekje “për të minuar procesin demokratik”.

Sandu e cila garoi për rizgjedhje, doli e para nga 11 kandidatët që garuan në zgjedhje dhe forcoi epërsinë e lehtë që kishte në nisje të numërimit të votave ndaj kandidatëve të tjerë, por nuk arriti të merrte 50% të votave të nevojshme për të shmangur raundin e balotazhit.

Sandu është e para me 41.84% e në raundin e dytë do të përballet me socialistin prorus, Alexandr Stoianoglo, i cili fitoi 26.34% të votave. Raundi i balotazhit do të mbahet më 3 nëntor.  Votimet e një dite më parë në Moldavi, për shumë vëzhgues u cilësuan “kritike për të ndihmuar që të përcaktohet drejtimi që do të marrë shteti: nëse do të vendosë për raporte më të ngushta me Europën dhe Perëndimin apo do të kthehet nga Rusia”.

Sandu tha se ka “dëshmi” që grupet kriminale dhe forcat e huaja kanë tentuar të ndërhyjnë në zgjedhje, por nuk përmendi asnjë shtet me emër.

Moldavia, sot, por edhe në muajt e fundit është përballur me sulm të paprecedent ndaj lirisë dhe demokracisë. Grupet kriminale që punojnë me fuqitë e huaja kanë sulmuar shtetin tonë me miliona euro, gënjeshtra e propagandë… për ta mbajtur shtetin tonë të bllokuar në paqartësi dhe paqëndrueshmëri.