Rajoni

Bruksel, sot takimi i dialogut Kosovë-Serbi/Nuk ka pritshmëri për arritje!

Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës i kryenegociatorëve të dialogut Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç dhe që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Fokusi i tij pritet që të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura. Bislimi e Petkoviç pritet që të kenë takime veç e veç me ndërmjetësin e Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, por nuk ka pritshmëri për një takim mes dy kryenegociatorëve.

Para bisedimeve në kryeqendrën europiane, ndërmjetësi i Unionit, Mirosllav Lajçak vizitoi Prishtinën e Beogradin për të caktuar datën dhe axhendën e takimit të sotëm.

Nga Prishtina, Lajçak bëri të ditur se Serbia tërhoqi letrën dërguar Bllokut, me rezerva lidhur me Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Dhjetorin e kaluar, kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërnabiç, i dërgoi Bashkimit Europian një letër ku Beogradi zyrtar shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, si dhe Aneksin për zbatim, të dakordësuar në Ohër.

Në atë letër, ndër të tjera thuhej se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes “de facto” dhe “de jure” të Kosovës.

Pas takimit në Prishtinë me zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja ende është e vlefshme. Më tej, vuri në dukje se kohë pas kohe, ka deklarata që nuk ndihmojnë në zbatimin e marrëveshjes.

Ndërkohë, pati deklarime se gjithçka e planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe. Ishte zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili më 13 shtator deklaroi se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.

Por, dje qeveria Kurti njoftoi se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Europian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit, “ku do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut”.

Nga ana tjetër, Prishtina shprehet skeptike. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ripërsëriti se “dialogu ka vdekur për këtë vit”. Edhe analistët nuk presin që do të ketë ndonjë hap konkret sa i përket procesit duke patur parasysh se në tani, në Kosovë është caktuar data e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në muajin shkurt 2025.