Rajoni

Bruksel, përfundojnë pa sukses bisedimet Kurti-Vuçiç!

Asnjë arritje në Bruksel në bisedimet e nivelit të lartë Kosovë-Serbi. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç tha se takimi me kryeministrin Albin Kurti përfundoi pa sukses, “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”. Duke folur për gazetarët, Vuçiç u shpreh:

Ne të gjithë kemi propozime, shqiptarët të vetat, ne tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk deshi ta pranojë. Takimi ka përfunduar.

Kurti e Vuçiç u takuan në Bruksel, për herë të parë pas më shumë se katër muajsh. Paraprakisht zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, kryediplomatin europian, Josep Borrell e të dërguarin e BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak. Më herët, Borrell shkruante: “Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”.

Takimi erdhi në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 50 mijë serbë e përbëjnë shumicën. Situata është acaruar që nga fundi i majit kur grupe serbësh nisën protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat e komunave në veri, të ndihmuar nga policia.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të mbajtura në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç, por që u bojkotuan nga popullata lokale serbe.

Disa herë, protestat në zonë u shndërruan në përleshje të dhunshme. Më të rëndat ishin më 29 maj kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR mbetën të plagosur.

Duke bërë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar, Bashkimi Europian i kërkoi të ulë tensionet duke pezulluar operacionet policore në veri, zhvendosur kryetarët e komunave në zyra alternative dhe duke shpallur zgjedhje të reja.

Deri tani, qeveria ka përgjysmuar praninë e njësive policore në ndërtesat komunale në veri dhe ka shprehur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja, madje duke nxjerrë një udhëzim administrativ. Por, sipas ekspertëve, vështirë që dokumenti të çojë në proces të ri zgjedhor.