Bota

Bruksel, liderët e BE-së diskutojnë emrat e rinj në krye të institucioneve të Unionit!

Liderët e vendeve të Bashkimit Europian, sonte mblidhen në Bruksel, në përpjekjen e parë për të arritur një marrëveshje mbi emrat e rinj të drejtuesve të institucioneve të Unionit, Komisionit Europian, Këshillit Europian dhe të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë. Ky do të jetë takimi i parë i liderëve europianë, pas zgjedhjeve të mbajtura në vendet anëtare të Bllokut, më 6-9 qershor.

Rezultati i zgjedhjeve do të reflektohet në emrat e rinj në krye të institucioneve europiane. Sugjerimet kryesore pritet të bëhen për politikanët që u përkasin partive që kanë fituar më shumë vota në zgjedhjet europiane.

Ndonëse në këto zgjedhje u konstatua rritje e ndjeshme e partive të së djathtës ekstreme, ato tradicionale të qendrës së djathtë e të majtë, Partia Popullore Europiane dhe Social-Demokratët janë renditur në vendin e parë e të dytë, respektivisht.

Kandidatura e shefes aktuale të BE-së, Ursula von der Leyen është e sigurt, por liderët e vendeve të BE-së, tani janë në kërkim të emrave të rinj për pozitat që kanë mbajtur Charles Michel e Josep Borrell. Ursula von der Leyen synon rizgjedhjen për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të Komisionit Europian, institucionit ekzekutiv të BE-së.

Gjasat që liderët të bien dakord për kandidaturën e saj janë të mëdha, duke marrë parasysh se vjen nga Partia Popullore Europiane. Pasi liderët e BE-së të votojnë për kandidatin për drejtimin e BE-së, më vonë, propozimi i shkon Parlamentit Europian, që ta miratojë apo refuzojë.

Nëse konfirmohet kandidatura e Ursula von der Leyen-it, atëherë kandidatët për kreun e Këshillit Europian dhe për postin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, duhet të jenë nga radhët e Social-Demokratëve e liberalëve europianë.

Roli i kreut të Këshillit Europian është të kryesojë takimet në nivel liderësh të BE-së e të përmirësojë punën e Këshillit Europian. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë ka rol të dyfishtë. Zyrtari që mban këtë pozitë është njëri prej nënkryetarëve të Komisionit Europian e ka edhe rolin e shefit të diplomacisë europiane.

Ka spekulime të ndryshme për politikanët që do të zëvendësojnë Michel-in dhe Borrell-in në këto pozita. Emrat që kanë shanset më të mëdha për dy postet, sipas informacioneve jozyrtare, janë të ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa, për pozitën e presidentit të Këshillit Europian dhe  kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, si kryediplomate e BE-së.

Por, nuk dihet nëse liderët e BE-së do të dakordohen për këta emra. Ideale, por jo e domosdoshme është që samiti i 17 qershorit të përfundojë me marrëveshje. Në rast se nuk arrihet një akord, mundësia e radhës për të diskutuar këtë çështje është samiti i rregullt që do të mbahet më 27 e 28 qershor.