Sport

Broja: Isha në maksimum për minutat që më dhuruan!

Shqipëria humbi mbrëmë ndaj Spanjës me rezultatin 0-1 në ndeshjen e tretë e të fundit të Grupit B, të njohur ndryshe si “grupi i vdekjes” duke mbyllur këtu dhe Europianin për kuqezinjtë. Pas kësaj sfide, krahas kapitenit Berat Gjimshiti foli edhe Armando Broja. Sulmuesi kuqezi e pranoi se do të kishte dëshiruar më shumë minuta nga ky Europian ndërsa shtoi se pavarësisht kundërshtarëve, Shqipëria ishte gjithmonë në lojë duke luftuar.

Ishim të kënaqur, çunat dolën me kokën lart. Të tri ndeshjet i dinim që do të ishin të vështira, janë skuadra të nivelit të lartë. Por, në ndeshje nuk është se na shkatërruan apo na mbytën dhe duhet të mbajmë kokën lart për atë që arritëm. Le të jemi krenarë.

Më shumë minuta? 

Normal, është një turne shumë i bukur, çdo katër vite. Ndoshta e luan një herë në jetë, të gjithë duan të luajnë çdo minutë. Kisha pasur qejf të luaja më shumë, por unë jam lojtar e vendimet i merr trajneri dhe unë e respektoj. Me sa minuta që më jep ai, unë jap maksimumin. Ndoshta në ndeshjen e parë mund të bëja më mira, por ishte e vështirë. Edhe ndeshjen e dytë pata qejf të luaja apo edhe të startoja, por është trajneri që vendos.

Tifozët thërrisnin në kor… 

Jam shumë i kënaqur se tifozët më kanë mbështetur gjithmonë, është diçka e bukur. Kam shumë respekt për shqiptarët që më mbështesin, edhe kur u dëmtova më kanë nisur mesazhe. I kam patur nga pas dhe i falënderoj.

Evertoni? 

Nuk e di, duhet të flas me familjen. Sezoni i fundit nuk shkoi mirë, por të shohim sezonin e ri, dua që të shkoj më mirë, u shpreh Broja.