“Për vite me radhë, Shqipëria ishte e panjohur për botën. Tani, ky vend ballkanik me qytete të listuara në UNESCO, rrënoja të lashta arkeologjike, parqe kombëtare sekrete dhe limane me guralecë po fiton njohjen që meriton”, shkruan Jessica Reid në një artikull të botuar në të përdishmen britanike “Wanderlust”.
Përpara se popullariteti i saj të rritet, keni ende kohë për ta vizituar Shqipërinë pa turma vizitorësh dhe përjetuar anën e saj më autentike. Falë trashëgimisë së saj kulturore, peizazheve malore e plazheve që rivalizojnë Greqinë, Shqipëria po ecën përpara në botën e turizmit…
1. Vëzhgoni shpendët në Lagunën e Karavastasë
Laguna e Karavastasë, pjesë e Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta” është më e madhja në Shqipëri me një sipërfaqe prej 42 km2 dhe e rrethuar nga pyje e këneta. Eshtë gjithashtu një terren i rëndësishëm mbarështimi për pelikanin kaçurrel të rrezikuar, i cili mund të shihet duke folezuar në një nga ishujt e lagunës, në muajt e parë të vitit.
Zgjohuni herët për të vizituar një nga platformat mbi lagunë dhe merrni dylbitë për të vëzhguar jo vetëm pelikanët, por edhe flamingot, peshqit e egër e speciet e tjera. Gjatë ditës, ju mund të eksploroni Parkun Kombëtar nga kulla e vrojtimit 30 metra e lartë, që ndodhet pranë qendrës së vizitorëve.
2. Kthehuni prapa në kohë në Berat
I quajtur si “Qyteti i Një mbi Një Dritareve”, falë dizajnit arkitektonik të qytetit pranë lumit Osum, Berati është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Edhe pse historia e tij daton në vitin 300 para Krishtit, ndërtesat prej guri të bardhë të qytetit janë dukshëm të stilit otoman.
Kalaja e Beratit e shekullit të XIII përfshin gjithashtu shumë kisha bizantine e rrënoja të xhamive. Do të ktheheni pas në kohë duke ecur në rrugicat e tij me kalldrëm, por për të zbuluar historinë e qytetit, drejtohuni në Muzeun e tij Kombëtar Etnografik që ndodhet brenda një shtëpie tradicionale të ruajtur.
3. Zbuloni kulturën e pasur në Tiranë
Tirana mund të mos duket si qyteti më emocionues, por kur të filloni të eksploroni rrugët e saj, së shpejti do të vini re se është plot me ngjyra të gjalla. Shumë ndërtesa ish-socialiste, tani janë zbukuruar me bojëra të ndritshme dhe murale duke e bërë vizitën në qytet, një gjueti thesari për artin.
Në zemër të Tiranës ndodhet Sheshi “Skënderbej”, një shesh i madh i rrethuar nga restorante e bare, si dhe atraksione kulturore si Kulla e Sahatit e ndërtuar në vitin 1822 e Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë.
Për më shumë histori mbi të kaluarën e afërt të Shqipërisë, Muzeu Bunk’Art2 pasqyron kohën e kombit nën sundimin komunist, i vendosur brenda një prej bunkerëve të shumtë të qytetit të ndërtuar nën urdhrat e diktatorit Enver Hoxha.
4. Vizitoni Gjirin e Vlorës
Përgjatë bregut jugperëndimor të Shqipërisë ndodhet Gjiri i Vlorës, pjesa më e madhe e të cilit përfshihet nga një park kombëtar i mbrojtur. Gjiri i Vlorës është shtëpia e llojeve të ndryshme të kafshëve, duke përfshirë delfinët, breshkat dhe fokën e rrallë mesdhetare. Gjithashtu, ai është i mbushur me plazhe të fshehura dhe limane të aksesueshme me varkë.
Merrni me qira një varkë për të eksploruar këta xhepa të fshehtë të Parkut Kombëtar, duke përfshirë ujërat magjike blu të Shpellës së Haxhi Aliut, që ndodhet në fund të Gadishullit të Karaburunit. Ju gjithashtu do të gjeni plazhe të izoluara ku mund të bëni kamping për një pasdite relaksi dhe noti në det.
5. Shkoni për ecje në male
Në Shqipërinë veriore, majat e Bjeshkëve të Nemuna (Alpet Shqiptare) e shndërrojnë peizazhin në një parajsë për adhuruesit e ecjes. Një nga shtigjet më të njohura është Qafa e Valbonës, një rrugë sfiduese 15 kilometra midis fshatrave Valbonë e Theth. Duke ecur përgjatë një terreni të thyer do të kaloni nëpër zona të pyllëzuara, livadhe dhe përgjatë lumit Valbona.
Megjithëse ecja zgjat 6-8 orë e mund të përfundojë brenda një dite, ju mund ta ngadalësoni atë për të qëndruar në bujtina gjatë rrugës. Për të shkuar në Theth nga lumi i Shalës duhen afërsisht katër ditë duke ecur nëpër lugina dhe gryka dhe vendbanime të lashta.
6. Rafting përgjatë lumit të fundit të egër të Europës, Vjosës
Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë është shndërruar në një park kombëtar, duke siguruar mbrojtjen afatgjatë të këtij peizazhi natyror. Ai është shtëpia e më shumë se 1000 llojeve të florës e faunës duke përfshirë lundërza dhe shkaba, si dhe një trashëgimi të rëndësishme kulturore, pasi njerëzit kanë pushtuar brigjet e lumit për mijëra vjet.
Për aventurierët, një nga mënyrat më të mira për të përjetuar rrugën ujore të lumit të egër është me kajak. Shijoni peizazhet përreth duke lundruar në ujëra më të qetë!
7. Eksploroni vendet e lashta arkeologjike
Në Gjirin e Vlorës ndodhet vendi arkeologjik i Orikumit. Vendbanimi antik u zhvillua nga grekët në shekullin V para Krishtit, përpara se të pushtohej nga Jul Çezari në vitin 48 para Krishtit. Vendi tregon historinë e këtij porti strategjik përmes rrënojave të tij, ku dikur qëndronin shatërvanët, kishat dhe teatrot.
Për shkak të vendndodhjes brenda një zone ushtarake, vizitorët duhet të rezervojnë një turne me guidë për të siguruar hyrjen në vend. Më në jug, në qarkun e Vlorës, Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ku dikur sundonin perandori të ndryshme, nga romakët te osmanët. Amfiteatri romak këtu është një nga më të ruajturit në Europë.
8. Qëndroni në bujtina
Përjetoni zemrën autentike të Shqipërisë duke qëndruar në një nga fermat ose bujtinat e vendit që gjenden kryesisht në vendet malore. Si pjesë e përvojës së agroturizmit, shpesh vizitorët zbulojnë mënyrat tradicionale të jetesës në këto qoshe të thella të Shqipërisë.
9. Riviera Shqiptare
Shqipëria është një zbulim i fundit për udhëtarët kur bëhet fjalë për rërën dhe detin. Riviera Shqiptare ofron një vijë bregdetare magjepsëse me plazhe që mbulohen nga dallgët e detit Jon. Pranë Butrintit, Ksamili është një mini arkipelag ishujsh i pyllëzuar, me limane dhe laguna.
Poshtë fshatit bregdetar, Dhërmi, në majë të shkëmbinjve me shtëpitë të lyera me gëlqere ndodhet një plazh i bukur me guralecë me të njëjtin emër. Ju duhet të ecni rreth 30 minuta për të arritur në plazhin e Gjipesë, një plazh i vogël me gurë e ku nuk ka shumë njerëz për shkak të vështirësisë së aksesit.
Këto janë vetëm një pjesë e vogël e sugjerimeve pasi ka qindra plazhe të tjera për t’u zbuluar përgjatë vijës bregdetare prej 300 kilometrash të Shqipërisë.