Bota

Britania i jep fund epokës 142 vjeçare të prodhimit të energjisë me qymyr!

Britania bëhet vendi i parë i grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës, G 7, që i jep fund prodhimit të energjisë me qymyr.

Sonte, termocentrali i fundit me qymyr, “Uniper’s Ratcliffe-on-Soar” në rajonet qendrore të Anglisë, do të mbyllet përfundimisht.

Kjo i jep fund epokës 142 vjeçare të prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri, në vendin që filloi Revolucionin Industrial.

Në vitin 2015, Britania njoftoi planet për të mbyllur fabrikat e qymyrit brenda dekadës së ardhshme, si pjesë e masave për të arritur objektivat e saj për klimën. Në atë kohë pothuajse 30% e energjisë elektrike të vendit vinte nga qymyri, por kjo shifër kishte rënë në pak më shumë se 1% vitin e kaluar.

Kjo masë ka ndihmuar në uljen e emetimeve të gazeve serrë në Britani, të cilat janë përgjysmuar që nga viti 1990.

Britania, e cila ka si objektiv që emetimet neto deri në vitin 2050 të kapin shifrën zero, planifikon gjithashtu të dekarbonizojë sektorin e energjisë elektrike deri në vitin 2030, një lëvizje që do të kërkojë një rritje të shpejtë të energjisë së rinovueshme nga era dhe dielli.

Emetimet nga energjia përbëjnë rreth tre të katërtat e emetimeve totale të gazeve serrë dhe shkencëtarët kanë thënë se përdorimi i lëndëve djegëse fosile duhet të frenohet për të përmbushur objektivat e vendosura nga marrëveshja e Parisit për klimën.

Në muajin prill, vendet e mëdha të industrializuara të G7 ranë dakord të heqin energjinë e qymyrit në gjysmën e parë të dekadës së ardhshme, por gjithashtu u dhanë një farë lirie ekonomive që varen shumë nga qymyri, duke tërhequr kritika nga grupet që mbrojnë mjedisin.

Energjia nga qymyri ende përbën më shumë se 25% të energjisë elektrike të Gjermanisë dhe më shumë se 30% të energjisë së Japonisë. /VOA