Bota

Britania e Madhe do të drejtohet nga Liz Truss!

Pritjes i erdhi fundi! Liz Truss, kryediplomatja aktuale e Londrës, tashmë merr drejtimin e Partisë Konservatore britanike e rrjedhimisht detyrën e kryeministres, duke zëvendësuar të dorëhequrin Boris Johnson. Ai dha dorëheqje më 7 korrik, kur kabineti që drejtonte u përball me skandale etike, por shërbeu si kryeministër në detyrë, i kritikuar gjerësisht për dështimin që t’i përgjigjet krizës së energjisë.

Votimi për liderin e ri u mbyll të premten, por sot u publikua emri. Johnson dhe pasardhësja do të udhëtojnë për në Skoci për t’u takuar nesër me Mbretëreshën Elizabeta e Dytë, që zyrtarisht Boris Johnson të dorëzojë dorëheqjen, ndërsa lideres së re t’i bëhet ftesë të formojë qeverinë. Takimet e Mbretëreshës me kryeministrat, tradicionalisht mbahen në Pallatin Buckingham në Londër, por, për shkak të problemeve të fundit shëndetësore, monarkja 96-vjeçare do t’i presë në Skoci, ku zakonisht kalon pushimet e verës.

Me 81 mijë e 326 vota, Truss mundi rivalin Rishi Sunak, i cili siguroi 60 mijë e 399 nga anëtarët konservatorë.

Pjesëmarrja ishte 82.6% ndërsa të drejtë vote kishin 172 mijë e 437 anëtarë. 654 vota u shpallën të pavlefshme.

Në të parin fjalim pas fitores, 47-vjeçarja falënderoi Sunakun që u përfshi në një fushatë shumë të luftuar dhe u zotua për një plan zhvillimi.

Tashmë, Truss trashëgon një ekonomi që po shkon drejt një recesioni të gjatë e duhet të ndërmarrë masa për të zbutur krizën e kostove të jetesës në Mbretërinë e Bashkuar. Nga kriza e luftës në Ukrainë, faturat e energjisë janë trefish më të larta se vitin e kaluar. Inflacioni arriti në mbi 10%, për të parën herë që nga vitet ‘80. Qeveria britanike përballet me thirrjet që të ofrojë paketa financiare, për të ndihmuar miliona persona që të paguajnë faturat e ngrohjes, për të kaluar dimrin.

Partia Laburiste në opozitë dhe të tjerë kritikë e akuzojnë se “nuk veproi” gjatë verës teksa pakënaqësitë sociale kanë shtyrë mijëra punonjës të kompanive të trenave, porteve e postës, avokatë dhe të tjerë, që të hyjnë në grevë për të kërkuar paga më të mira, pas rritjes së kostove të jetesës.

Truss, e cila gjerësisht shihej si favorite për postin e kryeministres, fitoi mbështetjen e shumë prej konservatorëve me politikën e saj që shteti të ndërhyjë e të shkurtojë taksat. Ajo premton të veprojë “menjëherë” për të luftuar rritjen e çmimeve të energjisë.

I portretizuar si ekonomist më realist, Sunak shprehej se përkohësisht do të ndërpriste Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për faturat e energjisë e angazhohej të mos e zhyste shtetin në borxhe dhe që të tjera shkurtime tatimore të bëheshin kur inflacioni të vihej nën kontroll.

Ekonomia do të jetë çështja kryesore në muajt e parë të mandatit të kryeministres së re, por pasardhësja e Johnson-it duhet të merret edhe me pozitën e Mbretërisë së Bashkuar në skenën ndërkombëtare, nën dritën e pushtimit rus të Ukrainës, rritjes së pranisë së Kinës e tensioneve me Bashkimin Europian mbi periudhën post-BREXIT.