Aktualitet Rajoni

Britania dërgon personel dhe automjete në Kosovë për t’u stërvitur me KFOR-in!

Britania e Madhe ka dërguar personel dhe automjete në Kosovë për ato që misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, thotë se janë ushtrime rutinore.

Në një njoftim për media, KFOR-i tha se personeli dhe automjetet nga Regjimenti Mbretëror i Jorkshërit kanë mbërritur të mërkurën në Durrës, Shqipëri, dhe do të zhvendosen në Kosovës përmes rrugës tokësore.

Ai nuk tregoi se sa pjesëtarë të personelit apo automjete janë dërguar.

“Siç është thënë më herët, Regjimenti Mbretëror i Jorkshërit, do të kryejë një sërë aktivitetesh stërvitore, së bashku me trupat e tjera të KFOR-it, deri në fund të tetorit”, thuhet në njoftim.

Më herët këtë muaj, Britania i dërgoi më shumë se 300 trupa në Kosovë për këto ushtrime rutinore.

KFOR-i theksoi se “qëllim i stërvitjeve është testimi i procedurave ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit”.

Kontingjenti britanik do të kthehet në Britani të Madhe sapo të përfundojnë ushtrimet në tetor, tha misioni paqeruajtës.

Zhvendosja në Kosovë i personelit dhe automjeteve të ushtrisë britanike për stërvitje u bë disa javë pasi KFOR-i zhvilloi atë që e quajti trajnim mbi urën e Ibrit, e cila ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.

Mbi këtë urë, që Kosova po synon ta hapë për qarkullim të automjeteve, KFOR-i ka prani të përhershme.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar autoriteteve në Kosovë që të përmbahen nga një veprim të tillë tani për tani, ndërkaq misioni i NATO-s dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që çështja e urës të zgjidhjet përmes dialogut.