Bota

Britania anulon planin e emigracionit në Ruanda, Gjermania kërkon ambjentet për të tentuar skemën!

Qeveria laburiste ka anuluar planin ‘fantastik’ prej 700 milionë paundë të konservatorëve të larguar nga pushteti, me pretekstin se nuk po reduktonte hyrjet ilegale nga ngushtica me Francën, teksa një debat i ri po lind me Gjermaninë që kërkon të marrë ambjentet e ndërtuara nga Anglia ne Ruanda, për të tentuar vetë një skemë të ngjashme.

Laburistët thonë se kishin të drejtë të anulonin skemën e kontestuar, ndërsa Berlini raportohet se ka sugjeruar që ambjentet e ndërtuara atje, të merren nga BE për të procesuar emigrantët e vet të padëshiruar.

Dje komisioneri gjerman i emigracionit Joachim Stamp propozoi dërgimin e emigrantëve ilegalë nga kufiri i Polonisë me Bjellorusinë, drejt Afrikës lindore.

Ai tha se unioni duhet të përfitojë nga hostelet e ndërtuara tashmë nga britanikët, të cilat Ruanda ka refuzuar të rimbursojë, shkruan rrjeti anglez Daily Mail.

Përfaqësuesi gjerman në Britani, Manuel Berger, qartësoi sot se vendi “nuk do të dërgojë emigrantët përgjithmonë në Afrikë”, por vetëm për procesimin e aplikimeve të azilit “në përputhje me ligjin humanitar dhe me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.

Zbulimet vijnë mes ankesave të konservatorëve britanikë që thonë se skema duhet të ishte vazhduar, megjithë ankesat e palëve të tjera se miliona paundë janë harxhuar dhe nuk mund të justifikohen me punë e kryer.

Një zëdhënës i qeverisë së re laburiste tha sot: “Ata shpenzuan 700 milionë për katër emigrantë vullnetarë që dërguan në Ruanda, ndërsa ardhjet e reja vijojnë në Britani”.

Zhvillimi vjen pas 12 vdekjeve të raportuara të emigrantëve në ngushticën e La Mansh, pasi bandat e trafikut kishin mbushur gomonen me 70 njerëz duke tentuar të arrinin në Angli.

Ministrja e re Angela Eagle tha për rrjetin Times Radio se plani Ruanda nuk funksionoi.

“Kjo kishte kushtuar 700 milionë dhe arritën të gjenim vetëm katër emigrantë vullnetarë për të shkuar në Ruanda, kur 106,000 mbeten këtu pa u procesuar”.