Bota

Britani, sot beteja finale ligjore për ekstradimin e Julian Assange-it në SHBA!

REUTERS

Themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange, sot do të mësojë nëse e ka humbur betejën ligjore në gjykatat angleze, për të parandaluar ekstradimin në Shtetet e Bashkuara. Assange prezantoi faqen WikiLeaks në vitin 2006, duke krijuar një platformë për ata që rrjedhin informacionet.

Përgjatë vitit 2010 janë publikuar më shumë se 90.000 dokumente të klasifikuara të ushtrisë amerikane për luftën në Afganistan dhe rreth 400.000 dokumente sekrete amerikane për luftën në Irak, duke shënuar skandalin më të madh të sigurisë në historinë e ushtrisë amerikane.

Më 2011-ën u publikuan edhe 250.000 dokumente sekrete diplomatike të ambasadave amerikane në botë e disa prej tyre janë shpërndarë edhe prej mediave të njohura si New York Times e Guardian. Uashingtoni reagoi me shqetësim duke theksuar se “janë rrezikuar shumë jetë”.

Në nëntor 2010, një gjykatë suedeze pati urdhëruar ndalimin e Assange-it, si rezultat i dyshimeve për krime seksuale, të ngritura prej dy vullnetareve suedeze të WikiLeaksit. Nga policia britanike u arrestua në dhjetor 2010, pas një fletë-arresti europian të lëshuar nga Suedia.

Assange i mohon akuzat dhe ka thënë se diçka e tillë është pretekst për ta ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, për t’u përballur me akuzat për publikim të dokumenteve prej WikiLeaksit. Në qershor 2012, pak pasi Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar e refuzoi kërkesën e tij kundër ekstradimit në Suedi, Assange hyri në Ambasadën e Ekuadorit në Londër e kërkoi azil. Ekuadori ia miratoi kërkesën për azil në gusht të vitit 2012.

Gjatë periudhës në ambasadë, u bë baba i dy fëmijëve me partneren e tij Stella Moris, me të cilën u martua më 2022-shin në burgun britanik Belmarsh në Londër. Assange u arrestua kur në prill të 2019-ës u largua nga selia diplomatike e Ekuadorit, që nuk i dha më azil.

Sot zhvillohet beteja e fundit ligjore në përpjekje që Aasange të mos ekstradohet në Amerikë. Një gjykatë do të vendosë nëse qëndrimet amerikane i shuajnë të gjitha shqetësimet.

Nëse e humb betejën ligjore në Britani, mundësia e fundit bllokuese për ekstradimin e tij do të mbetet në Gjykatën Europiane për të Drejta të Njeriut. Mbështetësit e Assange-it besojnë që nëse ai ekstradohet do të mbahet në ndonjë burg të sigurisë së lartë dhe nëse dënohet, mund të përballet me dënim prej 175 vjetësh burgim.

Prokurorët amerikanë kanë thënë se dënimi nuk do të jetë më i gjatë se 63 muaj.