Bota

Breshër si topa tenisi, rëndohet bilanci i viktimave të tornadove në SHBA!

Stuhitë e fuqishme kanë shkaktuar dëme mjaft të mëdha në rajonin jugor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të paktën 19 jetë të humbura. Punonjësit e ekipeve të kërkimit e shpëtimit, si dhe policia amerikane kërkuan viktimat në rrënoja e trajtuan me dhjetëra të plagosur. Referuar mediave në Amerikë, dje u raportuan vdekje në Teksas, në Arkansas, në Oklahoma e po ashtu në Kentaki. Tornado pati në shumë vende, sidomos gjatë natës të së shtunës.

Media amerikane tha se breshëri i rënë ishte në madhësinë e topave të tenisit. Sipas vlerësimeve fillestare të autoriteteve, një nga stuhitë në Oklahoma arriti të paktën nivelin tre nga pesë gjithsej. Tornadot e këtij klasifikimi mund që të arrijnë shpejtësi deri në 265 kilometra në orë.

Pothuajse 500 mijë njerëz në nëntë shtete amerikane ishin pa energji elektrike të dielën në mbrëmje, referuar burimeve të cituara nga CNN-i.

Në disa rajone është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për të përballuar pasojat e motit “të çmendur”.  Ekspertët ia atribuojnë ndryshimeve të klimës, rritjen e fatkeqësive natyrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu përfshihen stuhitë, përmbytjet dhe po ashtu, zjarret në pyje.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-ve, frekuenca e tornadove është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.