Sylvinho u prezantua sot si trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit. 48-vjeçari brazilian, i cili luajti e fitoi trofe me skuadra si Barcelona dhe Arsenali ka firmosur një kontratë 18-mujore me FSHF-në.
Sot në konferencën për shtyp, ish-mbrojtësi i majtë zbuloi pse zgjodhi Shqipërinë dhe tregoi objektivat e tij në krye të kuqezinjve.
Doja t’ju falënderoja që jeni këtu! Jam i kënaqur. Puna e një trajneri është e vështirë, kurrë e thjeshtë. Duhet të bëjmë zgjedhje, herë fiton e herë jo. Falënderoj Rejën për punën e bërë, si edhe këta futbollistë për zemrën dhe pasionin.Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive për të dërguar kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai pa te ne urinë e dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit.
Të gjithë flasin për zgjedhjet e trajnerit apo pozicionin e tij. FSHF më bindi të merrja përsipër këtë punë. Jemi të kënaqur, besoj se do të bëjmë një punë të mirë.
Presidenti i FSHF-së, Duka, shpjegoi arsyet se përse zgjodhën brazilianin Sylvinho.
Në media kanë dalë emrat që kemi diskutuar, nuk ka qenë e lehtë të vendosnim. Gjëja e parë që u kam thënë kandidatëve është që Kombëtarja nuk është vetëm skuadër futbolli, është një përgjegjësi e madhe. Pse Sylvinhon? Kur kemi diskutuar me Sylvinhon, në Milano, kemi diskutuar projektet tona. Kam menduar që është zgjedhje e duhur për ne, për të marrë atë që duhet dhe për trajnerin, për të qenë në një shkallë më lart në karrierën e tij. Kur kemi diskutuar mes nesh, me stafin e Federatës, kemi menduar që Reja shumë i vjetër, Sylvinho shumë i ri, kështu që vendosëm për më të riun.
Në konferencë foli edhe Edi Reja. Trajneri italian udhëhoqi kuqezinjtë në 38 ndeshje, duke siguruar një mesatare prej 1.34 pikësh. 77-vjeçari uroi pasardhësin për detyrën e re.
Jam jashtëzakonisht i emocionuar. Çdo rrugëtim ka një fund, por do të doja të nënvizoja rezultatet e arritura, që nuk janë për t’u lënë mënjanë. Bëmë të luajnë rreth 40 lojtarë, kemi arritur rezultate pozitive dhe ishim shumë afër kualifikimit në Botëror. Për një pikë mund të arrinim në “play-off” për të shkuar në Botëror.