Gjykata e Lartë braziliane urdhëroi pezullimin e gjigantit të mediave sociale të Elon Musk X në Brazil pasi miliarderi i teknologjisë refuzoi të emëronte një përfaqësues ligjor në vend. Masa përshkallëzon më tej grindjen disamujore midis dy burrave për lirinë e fjalës, llogaritë e ekstremit të djathtë dhe dezinformimin.
Gjykatësi Alexandre de Moraes e kishte paralajmëruar Musk se X mund të bllokohej në Brazil nëse nuk përmbushte urdhrin e tij për të emëruar një përfaqësues dhe vendosi një afat 24-orësh. Kompania nuk ka pasur një përfaqësues në vend që nga fillimi i këtij muaji. Brazili është një treg i rëndësishëm për platformën X, i cili ka luftuar me humbjen e reklamuesve që kur Musk bleu ish-Twitter-in në 2022.
Grupi i kërkimit të tregut Emarketer thotë se rreth 40 milionë brazilianë, afërsisht një e pesta e popullsisë, hyjnë në X të paktën një herë në muaj. Platforma X është përplasur me de Moraes për hezitimin e tij për të respektuar urdhrat për të bllokuar përdoruesit. Llogaritë që platforma më parë i ka mbyllur me urdhër brazilian përfshijnë ligjvënës të lidhur me partinë e krahut të djathtë të ish-presidentit Jair Bolsonaro dhe aktivistë të akuzuar për minimin e demokracisë braziliane.
Platforma e mediave sociale X ka bërë një ndryshim në programin e saj të Inteligjencës Artificiale, pasi zyrtarët më të lartë zgjedhorë të pesë shteteve, paralajmëruan se përmes tij po përhapeshin dezinformata zgjedhore. Sekretarët e Shtetit të Miçiganit, Minesotës, Nju Meksikos, Pensilvanisë dhe Uashingtonit, i dërguan një letër këtë muaj pronarit të rrjetit X Elon Musk, duke shprehur shqetësimin se Grok, instrumenti i Inteligjencës Artificiale, kishte prodhuar informacione të rreme rreth afateve të votimit në shtete, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara presidenciale.
Zyrtarët kërkuan që chatbot-i Grok t’i drejtojë përdoruesit që bëjnë pyetje mbi zgjedhjet tek “CanIVote.org”, një faqe interneti me informacione votimi e Shoqatës Kombëtare të Sekretarëve të Shtetit. Përpara se të japë përgjigje ndaj pyetjeve mbi zgjedhjet, Grok tha: “Për informacion të saktë dhe të përditësuar në lidhje me zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA, ju lutemi vizitoni Vote.gov”. “Të dyja faqet e internetit janë burime të besueshme që mund të lidhin votuesit me zyrtarët e zgjedhjeve lokale”-thanë pesë sekretarët e shtetit në një deklaratë të përbashkët.