Brad Pitt po sfidon fitoren e fundit të Angelina Jolie-s në çështjen e kujdestarisë së fëmijëve të tyre. Aktori 57-vjeçar argumentoi se aktorja 46-vjeçare nuk duhet të merrte kujdestarinë e fëmijëve të çiftit, për shkak të një gabimi administrativ nga një gjyqtar i përkohshëm të cilin ata e kishin përzgjedhur së bashku, sipas dokumenteve të paraqitura në Gjykatën Supreme të Kalifornisë. Aktorit të “Inglourious Basterds” iu dha për herë të parë kujdestaria e përbashkët e pesë fëmijëve të mitur të ish-çiftit në muajin maj nga gjyqtari John W. Ouderkirk.
Por një gjykatë apeli në Kaliforni e shkarkoi Ouderkirk sepse u zbulua se ai nuk i kishte trajtuar në mënyrë adekuate marrëdhëniet e biznesit me avokatët e aktorit Brad Pitt. Ouderkirk, refuzoi të largohej nga çështja e divorcit kur Jolie i kërkoi atij në një seancë gjyqësore në vitin 2020. Gjykata përfundimisht vendosi që kërkesa e Jolie për të shqyrtuar çështjen e gjyqtarit erdhi shumë vonë, por aktorja vendosi që ta apelonte vendimin dhe arriti të fitonte.
Nga ana tjetër ekipi i Pitt, në dosjen e re, thotë se beson se çdo gabim i bërë nga Ouderkirk ishte i vogël dhe nuk ia vlente që të lironte edhe vendimin e tij të kujdestarisë. Ai gjithashtu pretendon se Jolie po kërkonte ndonjë arsye për ta hequr juristin nga çështja. Avokatët e aktorit thanë gjithashtu se:
Ne po kërkojmë rishikim në Gjykatën Supreme të Kalifornisë sepse gjyqtari i përkohshëm, i cili ishte emëruar dhe rinovuar në mënyrë të përsëritur nga të dyja palët, u skualifikua në mënyrë jo të duhur pasi dha një vendim kujdestarie të detajuar, të bazuar në fakte, pas një procesi të gjatë ligjor me dëshmitarë dhe ekspertë të shumtë. Vendimi i gjykatës do t’i shpërblejë palët që po humbasin rastet e kujdestarisë së fëmijëve dhe do t’i lejojë ata të presin dhe të shohin për drejtimin e mundshëm të çështjes para se të kërkojnë shkarkimin e gjyqtarit nga çështja.
Avokatët kanë bërë me dije gjithashtu se kjo lloj strategjie e përdorur do të shkaktojë dëm të pariparueshëm si për fëmijët ashtu edhe për familjet e përfshira në këtë rast. Lejimi i kësaj strategjie gjyqësore dhe ‘dinake’ do t’i privojë prindërit nga koha e pazëvendësueshme me fëmijët e tyre pasi gjyqtarët skualifikohen për arsye të vogla në mes të çështjeve. Jolie dhe Pitt kanë së bashku gjashtë fëmijë, Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët 13-vjeçarë Vivienne dhe Knox.