Bota Lifestyle

“Bota e Tim Burton” vjen në jetë, hapet në Londër ekspozita e veçantë me veprat e regjisorit të njohur!

Nga kostumet e “Edward Scissorhands” dhe “Wednesday” te skicat “Beetlejuice” dhe “Corpse Bride”, një ekspozitë e hapur në Londër tregon botën fantastike të regjisorit amerikan Tim Burton. ‘Bota e Tim Burton’ mund të konsiderohet si një lloj festë për të gjithë jetën dhe veprën e një prej regjisorëve më magjepsës të kohës sonë, Tim Burton. Është një ekspozitë që bashkon filmat e tij, siç janë “Beetlejuice”, “Edward Scissorhands”, “Nightmare Before Christmas”, por edhe krijime të tjera, pjesë e botës së artit.

Këtu në Muzeun e Dizajnit, tek “Bota e Tim Burton” mund të gjesh një sërë objektesh, duke përfshirë disa nga skicat e fëmijërisë së regjisorit deri te artikujt nga prodhimet e tij të fundit. Në shfaqje janë vizatime nga filmat e Burton si “Nightmare Before Christmas” dhe “The Corpse Bride”, si dhe kostume nga realizimet “Sleepy Hollow” dhe serialin televiziv “Wednesday”.

Ekspozita nxjerr në pah skicat origjinale të Burton, si dhe bashkëpunimet e tij me partnerët e vjetër, duke përfshirë kostumografen, Colleen Atwood. Ekspozohen gjithashtu vepra arti personale. Ekspozita ka bërë një turne nëpër botë për më shumë se një dekadë dhe ekspozita në Muzeun e Dizajnit, që do të zgjasë deri më 21 Prill 2025, është ndalesa e saj e fundit. Pjesë të bashkëpunimit të tij regjisori 64-vjeçar ka edhe aktoren italiane Monica Belluçi e cila interpreton në filmin “Beetlejuice 2”. Të dy po shijojnë edhe një romancë prej kohësh.