Bota

Borrell në Kiev/Mbështetje Ukrainës nga BE-ja!

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian (BE), Josep Borrell, sot mbërriti në Kiev për një vizitë të paralajmëruar që të ritheksojë mbështetjen europiane për Ukrainën ndërsa Rusia vazhdon sulmet në vend.

Mbështetja e BE-së për Ukrainën ka qenë prioriteti im personal gjatë mandatit tim dhe do të mbetet në krye të axhendës së BE-së.

Këtë e theksoi disa orë pasi ushtria ruse kreu një tjetër sulm ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë, duke dëmtuar ndërtesa dhe shtëpi banimi në Odesë. Borrelli rezulton të jetë zyrtari më i lartë i BE-së që viziton Ukrainën pas fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 5 nëntor.

Mesazhi është i qartë: Europianët do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën. Ne e kemi mbështetur Ukrainën që nga fillimi dhe në këtë vizitë të fundit përcjell të njëjtin mesazh: Do t’ju mbështesim sa të mundemi.

Josep Borrell pritet të largohet nga detyra muajin e ardhshëm. Fitorja e Trump-it në zgjedhje ka ngritur shqetësime në Kiev. Gjatë fushatës, ai tha se mund ta zgjidhte shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, madje përpara se të inaugurohet, më 20 janar. Trump ka sugjeruar se Kievi duhet të pranojë t’i japë disa territore Moskës në këmbim të paqes, një kusht që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e hedh poshtë.

Askush nuk e di saktësisht se çfarë do të bëjë administrata e re, tha Borrell për AFP-në, duke theksuar se Joe Biden ka ende dy muaj të mbetur në detyrë si president i SHBA-ve. Por ne europianët duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ndërtuar një Europë më të fortë e të bashkuar dhe një nga manifestimet e të qenit të bashkuar e të aftë për të vepruar, është roli ynë në mbështetjen e Ukrainës.

Iu takon vendeve të BE-së të vendosin kur dhe si ta rrisin mbështetjen e tyre, nëse është e nevojshme. Dje në takimin e liderëve të Unionit në Budapest, shumica e shteteve anëtare këmbëngulën në të njëjtën linjë, për ta vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës.