Bota

“Borisi shkatërrues”, të paktën 15 viktima në Europën Qendrore e Lindore!

Të paktën 15 persona kanë gjetur vdekjen në vendet e Europës Qendrore e Lindore pas kalimit të stuhisë shkatërruese Boris, që po ashtu la mijëra njerëz të pastrehë e shkaktoi dëme të mëdha dhe që për momentin duket ende e vështirë të vlerësohen ndaj duhet pritur gjatë.

Reshjet e pandërprera të shiut kanë goditur rajonin që nga e premtja e javës së kaluar duke fryrë përrenj e lumenj e duke detyruar mijëra banorë që të largohen nga shtëpitë, ndonjëherë edhe me helikopter. Kjo pasi u strehuan në çatitë e shtëpive apo makinave të tyre.

Përveç shtatë vdekjeve të regjistruara në Rumani, Austria raportoi dhe për dy viktima, dy burra të moshave 70 e 80 vjeç. Më herët, në shtetin austriak humbi jetën një zjarrfikës, i angazhuar në operacionet e shpëtimit.

Në Republikën Çeke, policia konfirmoi në Radion Publike se një person është mbytur e shtatë të tjerë janë zhdukur. Më herët, mijëra familje mbetën pa energji elektrike në Çeki.

Në Poloni, policia polake raportoi për katër viktima në rajonet e prekura ndërsa kryeministri i vendit Donald Tusk njoftoi ndihmë të menjëhershme prej një miliard zlotish apo ndryshe në vlerë (235 milion euro).

Austria po pret një valë të dytë përmbytjesh pas kalimit të stuhisë Boris. Edhe pse situata në Vjenë është qetësuar, në Austrinë e Poshtme sot në mbrëmje pritet një valë e mëtejshme, siç dhe ka paralajmëruar zëvendëskancelari Werner Kogler referuar sinoptikanëve.

Autoritetet lokale në kryeqytetin austriak Vjenë kanë vendosur 300 ushtarë të forcave të armatosura në zonë, me rezerva shtesë gati. Ministrja e Mbrojtjes, Klaudia Tanner nënvizoi rëndësinë e operacioneve të kërkimit e të shpëtimit.

Kancelari Karl Nehammer, si dhe zëvendësi i tij Kogler falënderuan vullnetarët për mbështetjen e dhënë ndërsa ftuan popullsinë që të qëndrojë në shtëpi, veçanërisht në zonat e Vjenës e të Austrisë së Poshtme. Në kryeqytetin austriak, shërbimet e metrosë vijojnë të mbeten të kufizuara.