Ish-kryeministri britanik Boris Johnson ka shkelur protokollin mbretëror duke ngjallur një reagim të ashpër në familjen monarke por edhe më gjerë. Ai ka zbuluar në librin e kujtimeve të tij se mbretëresha Elizabeth II kishte kancer në kocka para vdekjes së saj. Libri i cili do të dalë më 10 tetor thuhet se ka disa fragmente ku rrëfen ditët e fundit të Mbretëreshës në Balmoral Castle në Skoci. Johnson zyrtarisht dha dorëheqjen vetëm dy ditë para vdekjes së Elizabeth II në shtator 2022 dhe në vitet që pasuan, ka pasur spekulime intensive për mënyrën se si ajo vdiq.
“Unë e di për një vit ose më shumë se ajo kishte një formë të kancerit të kockave dhe mjekët e saj ishin të shqetësuar se në çdo moment ajo mund të shkonte në një rënie të shpejtë,”-thuhet në një fragment. Dëshmia e Johnson është treguesi i parë publik nga një ish-zyrtar i lartë i qeverisë për atë që mund të ketë qenë shkaku i vdekjes së Mbretëreshës. Ndërkohë certifikata e saj e vdekjes rendit fjalën “pleqëria” si shkak.
Ndërkaq, statuja më e re prej bronxi e Mbretëreshës Elizabeth II në kopshtet e kështjellës Antrim në Irlandën e Veriut, ka marrë një “lum” kritikash. Shumë kritikë e quajtën statujën si diçka tallëse dhe kërkuan që ajo të hiqej menjëherë pasi nuk ngjante aspak me Mbretëreshën e ndjerë.
Këshilli i bashkisë Antrim dhe Newtownabbey autorizoi artistin vendas Anto Brennan për të krijuar skulpturën dhe u shpreh i kënaqur me punën e tij. Statuja u vendos pranë një statuje të Princ Philip. Një person e krahasoi statujën me znj.Doubtfire, dadoja në filmin ikonik të viteve 90. Vera McWilliam, një këshilltare e Antrim dhe Newtownabbey, i tha BBC-së se kritikët kishin të drejtë: “Ne duhet të jemi të sinqertë, ajo nuk i ngjan mbretëreshës në asnjë formë.”