Boris Johnson është larguar nga Downing Street për herë të fundit, teksa mbajti më herët fjalimin e tij të lamtumirës. Me bashkëshorten e tij, te cilën e mban për dore ai është larguar zyrtarisht nga godina e qeverisë britanike.
Fjalimi kishte referenca për atë që Johnson do të konsideronte “hitet e tij më të mëdha”, mbështetjen për Ukrainën, Brexit-in dhe përhapjen e vaksinave.
Ndoshta çuditërisht, nuk kishte referenca për ngjarje të tjera që në fund të fundit kontribuan në rënien e tij, për shembull, festat e Downing Street, shkruan BBC.
Ai gjithashtu theksoi se pasardhësja, Liz Truss, do të sigurojë mbështetje ekonomike për familjet. Kjo ishte edhe pjesa më e rëndësishme e fjalimit.
Johnson dorëzoi kështu detyrën tek Liz Truss, e cila u zgjodh dje kryeministrja e re e Britanisë dhe njëkohësisht udhëheqësja e konservatorëve.
Kujtojmë se Johnosn dha dorëheqjen në korrik dhe qëndroi në detyrë deri në zgjedhjen e pasuesit. Ishin anëtarët e tij të qeverisë, të cilët i kthyen shpinën dhe e detyruan të japë dorëheqjen.
Kriza më e fundit qeveritare u shkaktua pas aferës së kolegut të partisë konservatore, Chris Pincher, që u akuzua për ngacmime seksuale. Më parë ishte bërë e ditur, se Johnson kishte pasur dijeni për fajësimet kundër Pincher, para se ta vendoste në një post të rëndësishëm të grupit parlamentar. Një tjetër që ndikoi ishte gjithashtu edhe festa në Downing Street gjatë pandemisë.