Gjatë qëndrimit në New York, liderët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministri Edi Rama, zhvilluan një takim informal me shefin e diplomacisë europiane, Josef Borrell.
Në faqen zyrtare të Komisionit Europian theksohet se “mbledhja vjetore pasqyron përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj partneritetit me Ballkanin Perëndimor, shtetet anëtare të ardhshme të unionit. Takimi shërben si një rast për shkëmbimin e pikëpamjeve për çështjet me interes të përbashkët, përtej zgjerimit, për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit global.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian theksoi se Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e së ardhmes së Evropës, ndaj anëtarësimi është i arritshëm, me kusht që reformat kyçe të ndiqen me fokus të ri.
Josef Borell nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë të arritura përmes dialogut dhe kompromisit, si hapa thelbësorë drejt integrimit në BE.
“Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për të çuar përpara aspiratat e tyre evropiane.” – u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama publikoi një fotografi në rrjetet sociale, përpara darkës me shefin e diplomacisë europiane, ku shihet përkrah presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.