Sport

Bordin kërkon falje pas katastrofës së Elbasanit: Mund të humbësh, por me dinjitet

Trajneri i Elbasanit, Roberto Bordin ka kërkuar falje për humbjen e thellë 5-0 të skuadrës së tij përballë Dinamos, në ndeshjen e javës së 12 të Superiores.

“Nuk funksionoi asgjë se ishte një skuadër e cila vuajti që në minutën e parë. Duhet t’i kërkojmë të gjithë tifozëve dhe klubit falje, për këtë paraqitje jashtëzakonisht të keqe.

E vetmja mënyrë ta kalojmë është të punojë më shumë për ndeshjen tjetër, se është e rëndësishme pas një ndeshje ku nuk u paraqitëm si sot.

Ndeshjet mund të humben por duhet pak dinjitet, zemër e karakter më shumë. Pritet ndonjë reagim, nuk mund të bësh një ndeshje 90 minuta nën mëshirën e kundërshtarit, kjo është e papranueshme.

I thashë ekipit si në pushim, edhe në fund, që mund të humbet ndeshja, por jo në këtë mënyrë, Mund të humbësh, por si skuadër, jo me gabime individuale, u nervozuam, bëmë faulle e u ndëshkuam me kartonë të panevojshëm, ku mund të ishim të aftë për të mbrojtur edhe humbjen”, tha Bordin pas ndeshjes.