Aktualitet

Bora e parë në Vermosh!

Ulja e temperaturave ka sjellë edhe reshjet e para të borës në Vermosh, Shkodër. Kryeministri Edi Rama sot ndau pamje nga bora e rënë në Vermosh, ku edhe po punohet për pastrimin e rrugës e kriposjen e saj.

Bora e parë në Vermosh.

Në aksin Hani i Hotit-Vermosh ka reshje dëbore me trashësi rreth 5 cm dhe është i kalueshëm me goma dimërore. Fshati më i madh i Alpeve të Shqipërisë, Vermoshi është një luginë me origjinë akullnajore, e vendosur në lartësinë 1 100 metra mbi nivelin e detit.

Në të dyja anët e luginës, ngrihen shpate malesh me pjerrtësi të konsiderueshme e të veshura me pyje dhe kullota. Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit.

Instituti i Gjeoshkencave informon se priten reshje shiu mesatare e të dendura në disa qarqe të vendit. Sipas njoftimit zyrtar, shirat e intensitetit mesatar do të përfshijnë qarqet Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë e Gjirokastër, por lokalisht intensive janë në ato Durrës, Tiranë, Vlorë e Gjirokastër. Parashikimet thonë se pritet të shoqërohen me shtrëngata në shumicën e qarqeve.

Ndërkaq, në veri e në veri-lindje të vendit, në lartësitë mbi 900 m nga niveli i detit, reshjet janë në formë dëbore. Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i tyre, për momente të shkurtra, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si dhe vërshime të ujit në zonat urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Vlorë e Gjirokastër.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 10 / 17 °C, në vendet e ulëta: 9/14 °C, në vendet malore: 2 /12 °C. Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet për momente të shkurtra deri e fortë. Më herët përmes një postimi në rrjetet sociale, Bashkia Vlorë apeloi për kujdes e veçoi zonat me risk të lartë.