Rritet bilanci i të plagosurve nga sulmet e fundit ajrore që Rusia kreu në qytetin Zaporizhja të Ukrainës, duke dëmtuar disa blloqe të ndërtesave të larta të banimit dhe për pasojë u plagosën 16 civilë. Fillimisht u raportua për 13. Kievi zyrtar njoftoi edhe se ekipet e shpëtimit i kanë evakuuar banorët nga disa objekte. Edhe një ditë më parë, zyrtarët ukrainas raportuan për një sulm të ngjashëm rus në Harkiv e ku u plagosën 21 persona.
Vazhdimisht, Rusia e mohon se kryen sulme ndaj civilëve, por mijëra ukrainas kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të tilla që nga koha kur presidenti rus, Vladimir Putin nisi pushtimin e plotë e të paprovokuar të vendit fqinj, në shkurt të vitit 2022.
Ndërsa ushtria ruse kreu këtë sulm të ri, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Nju Jork merr pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Zelensky do të takohet me liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden.
Ministria e Brendshme e Ukrainës raportoi se të dhënat fillestare tregojnë se Rusia përdori bomba të telekomanduara KAB në sulmin në Zaporizhja. KAB janë bomba të riparuara sovjetike e që ushtria ruse i ka përdorur në lindje të Ukrainës, madje edhe në sulmin e fundit në Harkiv, sipas zyrtarëve ukrainas.
Guvernatori i Zaporizhjas, Ivan Fedorov, deklaroi se disa objekte banimi janë dëmtuar si pasojë e sulmeve të orëve të natës në këtë qytet, pra Harkiv.
24 orët e fundit, Rusia ka kryer 363 sulme ajrore e tokësore në 12 vendbanime në rajonin kufitar të Zaporizhjas. Ndërkohë, dje Zelensky vizitoi një fabrikë armësh në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të cilën prodhohen municione me shumë rëndësi për përpjekjet e vendit të tij që të zmbrapsë pushtuesin.
Presidenti ukrainas po shpreson se në Shtetet e Bashkuara, ai do të mund që të marrë leje për përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi, me qëllimin për të kryer sulme të thella në brendësi të Rusisë duke shënjestruar fushat ajrore dhe depot e armëve që janë thelbësore për luftën e Moskës.
Këtë vjeshtë ne do ta vendosim të ardhmen e kësaj lufte, shkroi presidenti Zelensky në një postim në platformën X.