Bota

Bombardimet izraelite, Turqia do të evakuojë qytetarët turq nga Libani!

Raund i ri sulmesh ajrore izraelite në periferitë jugore të Bejrutit, vatër e lëvizjes pro-iraniane Hezbollah, e shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara e pjesërisht nga Bashkimi Europian. Një tym portokalli mbuloi zonën Chiyah, në skajin jugperëndimor të periferisë së Bejrutit duke u shënjestruar nga të paktën dy raketa izraelite. Zhurmat e dy shpërthimeve të mëdha u dëgjuan në të gjithë kryeqytetin libanez.

Më herët, avionët luftarakë izraelitë thyen barrierën e zërit mbi Bejrutin, duke shkaktuar panik te mijëra persona të zhvendosur e të strehuar në shkolla dhe parkingje për t’i shpëtuar granatimeve të Izraelit. Forcat e Mbrojtjes izraelite deklaruan se brenda një ore, kryen një operacion të gjerë ajror, bazuar në informacione të sakta të shërbimeve sekrete, duke synuar “mbi 120 zona terroriste” në Libanin jugor.

Turqia njoftoi sot se nesër do të evakuojë shtetasit turq nga Libani përmes transportit detar. Ministria e Jashtme në Ankara bëri të ditur se anijet e marinës turke do t’i zhvendosin turqit, të cilët kanë kërkuar të largohen nga Libani. Dy anije, me kapacitet të përgjithshëm për rreth 2 mijë udhëtarë, pritet të nisen që sot drejt Bejrutit. Ministria turke saktësoi se procesi i evakuimit do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, nëse është e nevojshme, duke shtuar se anijet që kryejnë evakuimin do të kenë edhe ndihma humanitare për Libanin.

Zyrtarët turq kanë thënë se përpiluan planet për evakuimin e qytetarëve të Turqisë nga Libani, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së sigurisë atje. Vlerësohet se Turqia ka 14 mijë shtetas të regjistruar në konsullatën turke në Liban. Ndërkohë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, rreth 2 mijë e 500 turq kanë aplikuar për t’u larguar nga territori libanez.

Më herët, Ankaraja zyrtare bëri të ditur se po punonte me rreth 20 vende për t’u përgatitur lidhur me evakuimin e shtetasve të huaj përmes Turqisë. Përmes anijeve tregtare, qindra persona të kombësive të ndryshme shkuan në Turqi nga Libani javën e kaluar.

Javët e fundit, ushtria izraelite i ka intensifikuar bombardimet e shënjestrave të Hezbollahut në jug të Libanit e përreth kryeqytetit Bejrut, ndërkohë që është duke e kryer edhe një inkursion tokësor në të njëjtën kohë.