Bota

Bombardime ruse në të gjithë Ukrainën!

Rusia po vazhdon të bombardojë qytete në të gjithë Ukrainën. Autoritetet raportojnë për disa shpërthime në perëndim e lindje ndërsa forcat ruse pretendojnë se kanë kontrollin e plotë të qytetit-port të Mariupolit, në jug të vendit. Pasi dështoi të thyejë rezistencën ukrainase në veri, ushtria ruse po përqendron ofensivën në Donbas, në lindje. Por, gjithashtu Moska kryen sulme ajrore edhe në zona të tjera, përfshirë kryeqytetin Kiev. Mëngjesin e sotëm u dëgjuan disa shpërthime në Lviv, nga sulmet me raketa.

Shpërthime janë raportuar edhe në rajonin jugor të Dipropetrovsk-ut, por ende nuk ka informacione lidhur me viktimat, të lënduarit apo dëmet e mundshme materiale. Njoftimet për sulme në Lviv dhe Dipropetrovsk vijnë teksa Rusia ka vazhduar bombardimet në lindje të Ukrainës. Në anën tjetër, Kievi i mbetet zotimit se do të luftojë deri në fund në qytetin strategjik të Mariupolit, për të cilin thuhet se po kthehet gjithnjë e më shumë në gërmadhë.

Teksa sulmet me raketa po vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Ukrainës, presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky akuzon ushtarët rusë se po kryejnë tortura, rrëmbime e grabitje masive në zonat që ata kanë nën kontroll. Nëse qyteti-port i Mariupolit bie nën kontrollin rus, atëherë kjo do t’i jepte Moskës fitoren më të madhe në luftën e nisur më 24 shkurt. Ndërkohë, disa mijëra luftëtarë ukrainas, siç ka bërë të ditur Rusia, janë bllokuar në kompleksin metalurgjik Azovstal.

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan ABC, deklaroi:

Ne do të luftojmë deri në fund për ta fituar këtë luftë!

Shefi i qeverisë së Kievit tha se “Ukraina është e përgatitur që t’i japë fund luftës përmes diplomacisë, nëse është e mundur”, por shtoi ata “nuk kanë ndërmend të dorëzohen”. Ndërkaq, gjatë një adresimi në orët e vona të ditës së djeshme, presidenti ukrainas, Zelensky theksoi se “pala ukrainase po bën gjithçka për të mbrojtur lindjen e vendit”.