Bota

Bolivi, policia arreston liderin e grushtit të dështuar të shtetit!

Forcat e Armatosura të Bolivisë u tërhoqën nga pallati presidencial në La Paz dhe policia arrestoi gjeneralin në krye të grushtit të dështuar të shtetit. Dje gjatë ditës, njësi ushtarake, të udhëhequra nga gjenerali Juan Jose Zuniga, ishin mbledhur në sheshin qendror Plaza Murillo, ku ndodhen pallati presidencial dhe Kongresi. Presidenti bolivian, Luis Arce e dënoi tentativën për puç dhe i bëri thirrje popullit për mbështetje.

Vendi po përballet me një përpjekje për grusht shteti. Ne i bëjmë thirrje popullit bolivian të mblidhet! Ne kemi nevojë që populli bolivian të organizohet e të mobilizohet kundër grushtit të shtetit e në të mirë të demokracisë, tha Arce duke folur nga pallati presidencial.

Më vonë, ushtarët, me një varg automjetesh ushtarake u tërhoqën nga sheshi, duke i dhënë fund rebelimit pas vetëm tri orëve. Qindra mbështetës të Arces u mblodhën në sheshin pranë pallatit, duke valëvitur flamuj bolivianë. Ata kënduan Himnin Kombëtar dhe brohoritën.

Pas tërheqjes së ushtrisë, policia arrestoi gjeneralin Juan Jose Zuniga ndërsa Prokurori i Përgjithshëm nisi një hetim. Ministri Eduardo del Castillo bëri të ditur se përveç Zunigas, u arrestua edhe ish- zëvendësadmirali i Marinës, Juan Arnez Salvador.

Cili ishte synimi i këtij grupi? Synimi ishte rrëzimi i autoriteteve të zgjedhur në mënyrë demokratike, tha Del Castillo për gazetarët, pas arrestimeve.

Më vonë dje, ministri i Mbrojtjes, Edmundo Novillo u shpreh se “gjithçka është nën kontroll tani”. I rrethuar nga shefat e rinj të ushtrisë, të emëruar nga Arce, Novillo theksoi se Bolivia përjetoi një “grusht shteti të dështuar”.

Përpjekja për puç ndodhi në një kohë kur vendi po përballet me tensione dhe me grindje politike mes Arces e aleatit të tij të dikurshëm, ish-presidentit majtist, Evo Morales, për atë se kush duhet ta kontrollojë partinë në pushtet. Bolivia po përballet dhe me një krizë të madhe ekonomike.

Mospajtimet mes tyre kanë bërë që qeveria të mos jetë në gjendje të luftojë krizën ekonomike. Për shembull, aleatët e Moralesit në Kongres, vazhdimisht ia kanë bërë të pamundur Arcesit të marrë borxh për të luftuar krizën.

Arce dhe Morales kanë luftuar për të ardhmen Lëvizjes për Socializëm të Bolivisë, e njohur si MAS, para zgjedhjeve të vitit 2025. Udhëheqësit rajonalë dhe ndërkombëtarë dënuan përpjekjen për grusht shteti, duke bërë thirrje për respektim të demokracisë dhe autoriteteve të zgjedhura në mënyrë legjitime.